Vaksinimi kundër Covidit, ekipet mobile do të jenë të pranishme në nivel vendi
Të premten në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka filluar vaksinimi i qytetarëve me vaksinën kundër Covid-19.
Në shesh është vendosur edhe një tendë, ku qytetarët do të kenë mundësinë që të shkojnë dhe të vaksinohen.
Koordinatori i qendrës së vaksinimit në “1 Tetori”, në Prishtinë, Niman Bardhi, ka thënë se kjo po bëhet me qëllim që të jenë afër personave që ende nuk e kanë marrë dozën e parë të vaksinës.
“Bazuar në Planin e veprimit të vaksinimit në masë ne kemi paraparë që përmes ekipeve mobile të jemi afër qytetarëve. Për herë të parë është ngrit tenda në sheshin ‘Zahir Pajaziti’. Tenda është vetëm për personat që marrin dozën e parë, e jo për të dytën”, ka thënë ai para medieve.
Bardhi ka njoftuar se nga java e ardhshme ekipe mobile të vaksinimit kundër Covid-19, do të ketë në nivel vendi.
“Siç jeni të informuar mbi 600 mijë persona janë vaksinuar me dy dozat, po i afrohemi shifrës 700 mijë. Aktualisht, kemi rreth 200 mijë që e kanë marrë dozën e parë… Nëse bëhen kalkulimet ne jemi lider sa i përket vaksinimit. Ndërsa sa i përket interesimit bazuar në grup-moshat jemi brenda kuotës normale dhe shpresojmë që edhe ata persona që ende nuk e kanë dozën e parë të jemi afër tyre dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi”, ka thënë Bardhi.



