Britania regjistron numrin më të lartë të rasteve me Covid që prej korrikut
Britania ka regjistruar këtë javë numrin më të lartë të rasteve të reja me COVID-19 që prej korrikut, thuhet në të dhënat e qeverisë.
Në Britani 333,465 persona kanë rezultuar pozitivë gjatë shtatë ditëve të fundit, apo rreth 15 për qind më shumë se javën paraprake. Ky është numri më i lartë i rasteve të reja brenda një jave që prej 21 korrikut.
Po ashtu, në shtatë ditëshin e fundit, vdekjet janë rritur për 12 për qind, duke e çuar në 139,878 numrin e rasteve me fatalitet që prej nisjes së pandemisë. Britania është vendi i dytë në Evropë, pas Rusisë, me numrin më të lartë të vdekjeve, sipas të dhënave të prezantuara nga Universiteti Johns Hopkins.
Shkencëtarët kryesorë e kanë këshilluar Britaninë që të rivendosë masa kundër COVID-19, përfshirë edhe mbajtjen e detyrueshme të maskave, certifikatat e vaksinave dhe rekomandimeve që njerëzit të punojnë nga shtëpia.
Grupi këshillues i shkencëtarëve për emergjenca ka paralajmëruar për “rritje të shpejt të mundshme të shtrimeve në spital”, teksa rastet me koronavirus po vazhdojnë të rriten.
Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson e ka minimizuar mundësinë e rikthimit të masës izoluese.
Ndërkaq, Rusia për të pestën ditë me radhë ka regjistruar numër rekord të vdekjeve dhe autoritetet janë përgatitur që të mbyllin vendet e punës dhe kanë vendosur masën e izolimit në kryeqytet.
Më 23 tetor, Rusia regjistroi 1,075 vdekje dhe 37,678 raste të reja me koronavirus. Ky shtet ka një prej niveleve më të ulëta të vaksinimit kundër koronavirusit në Evropë.