Haradinaj në Kuvend për 200 hektarët: E kam riblerë në Gllogjan tokën e babës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka kritikuar Qeverinë Kurti për mosmiratimin e Ligjit për pagat në sektorin publik.
Ai ka thënë se qeveria është duke gjetur arsye të ndryshme për të mos e miratuar këtë ligj.
Ai ka përmendur se si gjatë qeverisjes së tij është mundësuar krijimi i ushtrisë.
“Ju po flisni për një qeveri të mëhershme, kur një qeveri e mëhershme diku në këtë Kuvend ka arritur që t’i bie ligjet e ushtrisë e sot e kemi përvjetorin e tretë të ushtrisë sonë. Ka arritur që ta sjell Ligjin për Prishtinën, statutin e ‘Trepçës’ dhe punë të tjera. Ju pse nuk jeni të zotët që ta sillnin Ligjin për pagat, çfarë halli keni? Mund të ju ndihmojmë, kemi ekspertë. Buxhet ka për këtë ligj, ekspertizë ka”, ka thënë ai.
Më tutje, Haradinaj ka folur edhe për riblerjen e tokës së babait të tij në fshatin Gllogjan të Deçanit.
“Kurti saherë po donë me u fshehë prej pazotësisë së tij po thotë se i ka ble 200 hektarë tokë. Po është e vërtetët z. Kurti. Me Ligjet e Kosovës, në kohën e OKB-së, e kam shfrytëzuar një të drejtë ligjore që ka mundur edhe një shtetas së huaj, e kam riblerë tokën e babait tim, është në Gllogjan, në katundin tim, nuk është një metër tjetër kund”, ka thënë ai.
Kjo deklaratë e Haradinajt pasi Kurti i kërkoi që t’i kthejë 200 hektarë tokë.
“Meqë m’u dha propozimi që ministrat e mi t’i çoj te KEK-u të mërdhihen në KEK, unë e kam një kundër-propozim për deputetin Haradinaj. Le t’i kthen në shtet 200 hektarë, ne ia japim 70 mijë euro”, ka thënë Kurti.
Kurti, Haradinajt: Ktheja 200 hektarë tokë shtetit, ne t’i japim 70 mijë euro



