Rama: Siguria në Kosovë është stabile, shqetësuese mbetet lufta hibride e Serbisë
Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Rrahman Rama, ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por ka shprehur shqetësim për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia dhe luftën hibride në rajon.
Këto deklarata i ka bërë pas raportimit të drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti, para Komisionit.
Rama ka thënë se gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë, përfshirë kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike.
“U informuam për situatën e sigurisë, sidomos për kërcënimet që mund të vijnë dhe që janë të vazhdueshme nga ana e Serbisë. Realisht, të gjithë jemi të shqetësuar për çështjen e luftës hibride që po zhvillohet jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe më gjerë. Diskutuam dhe morëm informacione për situatën e sigurisë këtu, por edhe më gjerë, në nivel rajonal dhe global”, ka thënë Rama.
Deputeti i PDK-së ka bërë me dije se anëtarët e Komisionit kanë parashtruar pyetje dhe kanë shprehur gatishmërinë për ta mbështetur AKI-në në përmbushjen e detyrave të saj.
“Bëmë disa pyetje legjitime dhe shprehëm gatishmërinë që t’i japim përkrahje drejtorit dhe agjencisë sonë, për çdo nevojë dhe me çdo mundësi që kemi, në mënyrë që të jemi sa më të sigurt si vend dhe që agjencia ta ketë përkrahjen tonë”, ka deklaruar ai, raporton “EO”.
Rama ka vlerësuar se, pavarësisht kërcënimeve hibride dhe sulmeve kibernetike, situata e sigurisë në vend mbetet stabile.
“Vlerësimet janë se, pavarësisht luftës hibride dhe sulmeve kibernetike, situata në Kosovë konsiderohet stabile sa i përket sigurisë. Edhe në pjesën veriore sundojnë ligji dhe rendi, dhe nuk kemi ndonjë shqetësim të jashtëzakonshëm”, ka shtuar Rama.
Të mërkurën, drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së në një mbledhje të mbyllur për publikun. Mediet janë lejuar të marrin pamje në fillim të mbledhjes, ndërsa pjesa tjetër e saj është zhvilluar me dyer të mbyllura.



