Guardiola u kërkon tifozëve të mbajnë maskat në stadium
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola u ka kërkuar tifozëve të mbajnë maska në stadiume për të kufizuar përhapjen e koronavirusit.
Sipas rregulloreve të prezantuara së fundmi të planit B të Qeverisë së Anglisë, tifozët tani duhet të tregojnë prova të vaksinimit të dyfishtë ose një test negativ Covid-19 për të ndjekur ndeshjet.
“Ka njerëz në stadiume që nuk përdorin maska dhe kjo më befason më shumë. Ec në rrugë, shkon në qendrat e mëdha tregtare, nëpër vende për të blerë dhurata për familjen dhe askush nuk përdor maska”, është shprehur fillimisht Guardiola.
Më tutje, ai ka thënë se maskat dhe distanca sociale janë mënyra më e mirë për t’u mbrojtur.
“Vaksinimet, vaksinat përforcuese, njerëzit [mund] të vendosin – por një pjesë e kësaj duhet të jetë distancimi social dhe maskat. Është mënyra më e mirë për të mbrojtur veten, familjet tona dhe pjesën tjetër të njerëzve”, është shprehur trajneri i Cityt.



