Isa Mustafa i reagon Përparim Ramës që e quajti këngëtar: Është në muajin e mjaltit
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka porositur kryetarin e ri të Prishtinës që të fillojë të punojë, pasi ky i fundit ka pyetur me shaka se “cili është Isa Mustafa?”.
Pasi e pa videon, Mustafa ka thënë se Përparim Rama është në “muajin e mjaltit”.
“Është në muajin e mjaltit. Le të fillojë të punojë”, ka thënë Mustafa për “Express”, duke komentuar deklaratën e Ramës.
Rama më 7 dhjetor e ka marrë detyrën e kryetarit të komunës më të rëndësishme në vend.
Kryetarit të Prishtinës iu përmend ish-kryetari i LDK-së në emisionin Oxygen, që është transmetuar të shtunën në “Klan Kosova”.
“Cili, cili është? Niva që është njëfarë këngëtari, qashtu e ka emrin”, ka thënë Rama duke qeshur.
Ai ka thënë se “shefi jem është qytetari i Prishtinës”.
Si kryetar, Rama ka thënë se u ka borxh vetëm qytetarëve, ndërsa për këtë deklaratë, moderatori i emisionit, Besim Dina ia dhuroi një përqafim.



