Nënshkruhet marrëveshja “Aftësitë për tregun e punës – Fit for jobs”
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, drejtori i GIZ-it në Kosovë David Oberhuber dhe udhëheqësi i projektit, Tobias Seiberlich ka nënshkruar të enjten marrëveshjen e implementimit për projektin “Aftësitë për tregun e punës – Fit for jobs”.
Projekti që bashkë-financohet nga Qeveria e Kosovës dhe ajo gjermane synon rritjen e numrit të të rinjve të punësuar në Kosovë përmes përmirësimit të arsimit dhe aftësimit profesional, orientimit në karrierë dhe përmirësimit të qasjes së të rinjve në shërbimet e tregut të punës.
Përkatësisht, projekti “Fit for jobs” mbulon katër fusha kryesore, siç janë, orientimi sistematik në karrierë në sistemin arsimor të mesëm të ulët, promovimi i përfshirjes sistematike të sektorit privat në Arsim dhe Aftësim Profesional, zvogëlimi i hendekut në mes të arsimit profesional dhe kalimit në tregun e punës, si dhe orientimi në karrierë me anë të politikave dhe strategjive përkatëse.
Në fushën e MFPT-së, bashkëpunimi synon angazhimin e praktikantëve në Agjencinë e Punësimit, angazhimin e trajnerëve sipas nevojave të Qendrave për Aftësim Profesional, zhvillimin e kapaciteteve të QAP-ave dhe implementimin e skemës së kuponëve të trajnimeve për punëkërkuesit.
Gjatë fjalës së tij, ministri Murati ka vlerësuar lartë bashkëpunimin në mes të palëve duke u shprehur se bashkëpunimi i ngushtë me Qeverinë Gjermane është shumë i rëndësishëm në mënyrë që bashkërisht të krijojnë perspektiva më të mira përmes një pjesëmarrje aktive në tregun e punës në vend.
Palët u zotuan që të vazhdojnë bashkëpunimin ndërmjet dy qeverive në arritjen e qëllimeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.



