Komuna e Mitrovicës paralajmëron shqiptimin e gjobave për ndotësit e ambientit
Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës gjatë vikendit kanë kryer inspektime në disa lokacione ku qytetarët kanë paraqitur ankesa për ndotje të ambientit.
Sipas tyre ndotja e ambientit po shkaktohet nga persona (pronarë të bizneseve hekrari dhe deponive të veturave jashtë përdorimit), të cilët ndezin goma dhe masa të ndryshme të plastikës me përmbajtje kancerogjene për qëllime komerciale.
Lidhur me këtë, inspektorët komunalë së bashku me Policinë i janë përgjigjur ankesave të disa qytetarëve dhe kanë identifikuar dy lokacione ku është shkaktuar ndotja e ambientit, me ç’rast ndaj subjektit ekonomik në fshatin Kçiq i Madh është iniciuar procedurë administrative.
Drejtori i Inspekcionit, Valon Brahimi, ka bërë thirrje që të ndërpritet kjo praktikë, duke njoftuar se inspektorët komunal do të kryejnë inspektime sistematike në funksion të mbrojtjes së mjedisit dhe për ndotësit e ambientit do të shqiptohen gjoba.