Bota prej sot kthen sytë kah Rusia, kah Botërori

14 qershor 2018 | 10:46

Botërori “Rusi 2018” do ta ketë rëndësinë e vet edhe për shqiptarët, pasi në ceremoninë hapëse do të paraqitet këngëtarja Era Istrefi, kurse pjesëmarrës janë edhe futbollistët shqiptarë: Valon Behrami, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemaili dhe Adnan Januzaj.

Ngjarja më e madhe e futbollit në nivel nacional, Kupa e Botës “Rusi 2018”, fillon sot (e hënë) në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, ku edhe do të zhvillohet finalja e këtij evenimenti. E rëndësishme kjo Kupë është për shqiptarët, pasi në ceremoninë hapëse do të këndojë Era Istrefi së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam. Kjo është një arritur e madhe për një këngëtare shqiptare, kurse Era nuk do të jetë përfaqësuesja e vetme në Botëror, të cilin fatkeqësisht nuk e ka siguruar Shqipëria e as Kosova, por shqiptarët i kanë pesë futbollistë që mbrojnë ngjyrat e Zvicrës, përkatësisht Belgjikës. Bëhet fjalë për katërshen që e bartë barrën kryesore në Kombëtaren e Zvicrës, Valon Behrami, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Blerim Xhemaili, derisa Adnan Januzaj do të luajë për Belgjikën.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka shprehur optimizëm se gjithçka do të shkojë në mënyrën më të mirë.

“Mezi po e pres festën e madhe. Sigurisht se do të kemi sfida të caktuara, si lufta kundër racizmit apo VAR-i që do të përdoret për herë të parë në Kupën e Botës. Por, për eventin gjithçka është gati dhe mund të them se do të jetë një ngjarje fantastike, me tifozë që do të vijnë nga e gjithë bota. Duhet të dini se pas rusëve janë amerikanët që kanë blerë më shumë bileta, ndjekur nga brazilianët dhe gjermanët. Është shumë interesante. Më shumë se gjysma e biletave janë shitur jashtë, ndërsa shumë mendonin se askush nuk do të udhëtonte drejt Rusisë”, ka thënë ai.

Ndeshja e parë hapëse do të jetë në mes të nikoqires, Rusisë dhe Arabisë Saudite, në orën 17:00. Kjo është ndeshja e vetme për ditën e parë të Botërorit. Ndryshe nga herët e tjera ceremonia hapëse do të zhvillohet vetëm gjysmë ore para se të fillojë ndeshja e parë. Pjesëmarrëse janë 32 shtete, ku nga shumica prej tyre do të tentojnë ta fitojnë trofeun e më të mirit. Triumfi në këtë Botëror është i përfshirë edhe në duel mes futbollistësh, ku spikat përballja historike Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionati Botëror i Futbollit nis sot me ndeshjen midis Rusisë…