Kryetari i AGK-së: Pushteti ta respektojë rolin e mediave
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mbajtur sot konferencë për media me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.
Me moton “Mediat nuk janë Armiku”, shënohet dita ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit në vendin tonë.
Kryetari i AGK-së, Xhemail Rexha, ka thënë se në këtë ditë të lirisë së shtypit, kujtojmë të gjithë ata gazetarë që kanë humbur jetën.
Madje, ai ka theksuar se duhet kujtuar qeverive të respektojnë punën e medias.
“Sot jemi për të shënuar ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit dhe është ditë që shënon rëndësinë që kanë mediat e lira kudo në botë. Kujton edhe gjithë ata gazetarë që kanë humbur jetën duke raportuar në vendin e tyre të punës. Po ashtu, t’ua kujtojmë qeverive të respektojnë punën e medias. Në Kosovë ndër vite ka pasur përpjekje për të kontrolluar mediat. Tema kryesore është se mediat nuk janë armiku”, ka theksuar Rexha.
Duke shtuar se: “Ndodh rrallë që politikanët të jenë të kënaqur me punën e mediave, dhe gazetarët nuk kërkojnë dhe presin një gjë të tillë. Por ajo që presin është që njerëzit në pushtet të njohin rolin dhe profesionin e gazetarit dhe ta respektojnë atë”.
Ndërkaq ai ka thënë që fuqia politike duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari.
“Në vend të nxitjes së urrejtjes ndaj gazetarëve, fuqia politike e pushtetarëve sot duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari duke adresuar fillimisht të gjitha kritikat që janë dhënë nga raporte kredibile ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.



