Deklarimi i pasurisë pritet të bëhet në formë elektronike
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka mbajtur mbledhjen e rregullt të martën.
Me këtë rast, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka theksuar se në kuadër të Projektligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, do të ketë ndryshime pozitive.
“Deklarimi i pasurisë do të bëhet në formë elektronike. Nuk do të ketë nevojë që asamblistët të paraqiten fizikisht. Do të ketë kontroll të plotë periodikisht por nuk do të ketë më short. Pra shorti është larguar nga deklarimi nga presidenti e deri te zyrtari i fundit. Megjithatë do të rritet transparenca”, ka thënë Tahiri.
Kurse deputeti nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj, ka kritikuar propozimet që kanë ardhur së fundi në kuadër të ndryshimit për ligjet.
Sipas tij, nuk është serioze në këtë formë të vijnë amendamentet.
Në anën tjetër, Adnan Rrustemi nga LV-ja, ka thënë parandalimi është më ideal se sa luftimi i korrupsionit.
“Duhet të angazhohemi të mos e lejojmë të ndodhë korrupsioni”, ka thënë ai.
Pas diskutimeve, ky projektligj ka marrë mbështetjen e anëtarëve të komisionit.



