Kryeministri Rama në OKB: 20 mijë gra kosovare u dhunuan mizorisht
Kryeministri Edi Rama, ka mbajtur fjalën në mbledhjen e parë të Këshillit të Sigurimit të OKB, në Nju Jork. Shqipëria do të mbajë për një muaj Presidencën e organizatës më të rëndësishme për sigurinë në botë.
Në fjalën e tij, kryeministri shqiptar foli për llogaridhënien ndërkombëtare dhe kërkoi nga të gjithë përfaqësuesit e shteteve anëtare në Këshillin e Sigurimit, që të pandëshkueshmëria të mos bëhet normë e të mbetet në histori.
Rama foli për ngjarjet në Ukrainë dhe përmendi dhe mizoritë e agresorit jugosllav në Serbrenicë e Kosovë, shkruan newsbomb.al. Sipas tij, bota u detyrohet me vepra dhe jo me fjalë mijëra viktimave të spastrimit etnik.
“Kolegë, na duhet të dëshmojmë vepra e jo vetëm fjalë. Na duhet të themi sot më shumë se kurrë, kurrë më. I detyrohemi me vepra e jo me fjalë mijëra viktimave në Serbrenicë. Të gjithë atyre që kanë vuajtur masakra e krime kundër njerëzimit. 20 mijë gratë e dhunuar gjatë spastrimit etnik në Kosovë, në 98-99”, tha Edi Rama ndër të tjera.
Pjesë nga fjala e kryeministrit shqiptar në Këshillin e Sigurimit:
Ndërkohë që flasim dhe theksojmë nevojën për të zbatuar normat e përbashkëta, të gjithë jemi të vetëdijshëm që jemi në një stres të jashtëzakonshëm. Ne, mund të ndihemi në fakt edhe të dëshpëruar për mungesën e progresit, për mungesën e realizimit, dhe shkelësit që veprojnë të lirë.
Kemi parë sesi minohen shtete të tëra. Rasti i konfliktit 11 vjeçar të Sirisë është tragjik. Duke dështuar të vëmë para përgjegjësisë regjimin sirian, kemi inkurajuar mizori diku tjetër. Por mostrajtimi i mizorive nuk duhet të jetë arsye për të mos vepruar.
Kjo më sjell ndërmend agresionin në Ukrainë. Një luftë e paprovokuar, e padrejtë, e paligjshme ka sfiduar ekonominë europane. Krime të tmerrshme që kryhen e zbulohen përditë. Kjo kërkon vënien para përgjegjësisë. Shqipëria do të jetë në ballë të përpjekjeve për të vënë në vend drejtësi.
Kolegë, na duhet të dëshmojmë vepra e jo vetëm fjalë. Na duhet të themi sot më shumë se kurrë, kurrë më. I detyrohemi me vepra e jo me fjalë mijëra viktimave në Serbrenicë. Të gjithë atyre që kanë vuajtur masakra e krime kundër njerëzimit. 20 mijë gratë e dhunuar gjatë spastrimit etnik në Kosovë, në 98-99.
Pa drejtësi dhe llogaridhënie efektive, normat e përbashkëta do të shuhen. Nuk duhet t’i lëmë shkeljet të bëhen normë. Duhet që pandëshkueshmëria të mbetet në histori.