Kërkohet që çështja e Luginës së Preshevës të trajtohet në OKB
Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë duke lobuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) që ta vendosin çështjen e komunave në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në agjendën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Këtë e ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë”, Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Më herët, një media lokale në Bujanoc, ka raportuar se përfaqësuesit e shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci janë takuar në Nju Jork me ambasadorin e Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, dhe pas këtij takimi është thënë se çështja e Luginës së Preshevës do të trajtohet në OKB.
Më 1 qershor, për herë të parë Shqipëria ka marrë kryesimin njëmujor të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kryetari i Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka thënë se përfaqësuesit e komunitetit shqiptar që jeton në jug të Serbisë, janë duke kërkuar se në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet problemi i Luginës së Preshevës.
“Ajo që kërkohet është që të mos ketë normalizim të marrëdhënieve derisa Lugina të jetë në agjendën e zgjidhjes së problemeve në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë se përveç zgjidhjes së çështjes së pakicave kombëtare në Ballkanin Perëndimor përmes normalizimit të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, duhet të ketë standarde uniforme për trajtimin e pakicave kombëtare”, ka thënë ai.
Mediat në Bujanoc kanë raportuar se kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kreu i Partisë për Veprim Demokratik, zyrtarja e kësaj partie, Ardita Sinani, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, Ragmi Mustafa, kanë udhëtuar për në selinë e OKB-së që gjendet në Nju Jork.
Pas takimit me ambasadorin Hoxha të dielën, Arifi ka thënë se e kanë informuar ambasadorin shqiptar për “situatën politike në Luginë dhe problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Serbi”.
Më 5 qershor, Ardita Sinani ka postuar në llogarinë e vet në “Facebook” fotografi të delegacionit të përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Luginës në takimin me ambasadorin shqiptar në OKB, Ferit Hoxha, duke shtuar se “çështja e Luginës së Preshevës tashmë do të shtrohet në OKB”.
“Përfshirja e Luginës së Preshevës në organizatën më gjithëpërfshirëse ndërkombëtare është tejet me rëndësi për ta shpërfaqur të vërtetën e gjendjes dhe pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka thënë Sinani.
Nga Bujanoci është theksuar se delegacioni nga komunat në jug të Serbisë do të ketë takime me përfaqësuesit e administratës amerikane dhe diasporës shqiptare.
Kjo nuk është hera e parë që përfaqësuesit e shqiptarëve në tri komunat në jug të Serbisë, që njihen me termin Lugina e Preshevës, kërkojnë që në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të përfshihet edhe statusi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi.
Në korrik të vitit 2018, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës kanë miratuar një deklaratë përmes së cilës u kërkonin zyrtarëve të Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian që të përfshihej në procesin e negociatave, por edhe në dokumentin përfundimtar të marrëveshjes së Brukselit, statusin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Megjithatë, zyrtarët serbë kanë thënë se çështjet e vetëqeverisjes lokale në komunat në jug të Serbisë, nuk mund të trajtohen në kontekstin e negociatave të Brukselit.
Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia kanë nisur procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Aktualisht, bartës të dialogut në nivel politik janë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërkaq po ashtu zhvillohen diskutime për çështje teknike në nivel të kryenegociatorëve.
Ndryshe, për vite me radhë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës kanë kërkuar më shumë të drejta, teksa kanë denoncuar shumë shkelje. Rasti i fundit është pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë, gjë që sipas politikanëve shqiptarë po bëhet për të ndryshuar “strukturën etnike” të këtyre komunave.



