Hoti: Merita për marrëveshjen me MCC-në ka Jahjaga, Kurti ka më së paku
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se marrëveshja milionëshe e nënshkruar me MCC-në nuk është meritë e qeverisë Kurti, por se hise të meritave ka edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga.
Ai ka thënë se punën për këtë marrëveshje e ka kryer edhe qeveria Mustafa.
“Do t’i them disa të vërteta për kronologjinë e kësaj marrëveshje. Duhet thënë se Qeveria Kurti ka më së paku merita për këtë marrëveshje. Por, pavarësisht kësaj, është Qeveria Kurti që e ka vonuar, së paku dy vjet, realizimin e kësaj marrëveshje. Kjo marrëveshje ka filluar qysh në qeverinë Mustafa. Edhe presidentja Jahjaga ka merita të veçanta për inicimin e kësaj marrëveshje. Në qeverinë Mustafa atëherë kemi punuar gjatë në plotësimin e një liste të gjatë të kushteve për t’u kualifikuar”, ka thënë Hoti në Kuvend.
Po ashtu, Hoti ka thënë se studime të parafizibilitetit kanë mbaruar në gusht të vitit 2020.
“Bazuar në kërkesën e MCC-së, më 24 shtator 2020 qeveria e atëhershme ka dërguar letër në MCC ku ka dhënë qëndrimin e saj sa i përket zhvillimeve ‘Kosova e Re’ dhe për projektet për programin kompakt”, ka thënë ai.



