Osmani takon senatorët amerikanë, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin gjatë vizitës së tyre në Kosovë.
Përmes një postimi në “Facebook”, Osmani ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të senatorëve amerikanë ndaj Kosovës, duke theksuar angazhimin e tyre për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit ka kërkuar mbështetjen e tyre për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, si dhe për nisjen e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, proces të cilin, sipas saj, e kishte iniciuar zyrtarisht gjatë mandatit të saj si presidente.
Osmani ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së së vërtetës historike për luftën çlirimtare të Kosovës, duke kundërshtuar përpjekjet që, sipas saj, synojnë të rishkruajnë historinë dhe të barazojnë viktimën me agresorin.
Ajo ka thënë se u ka paraqitur senatorëve argumente historike, juridike dhe politike kundër pretendimeve të propagandës serbe për represion ndaj të krishterëve në Kosovë.
Sipas Osmanit, këto pretendime duhet të kundërshtohen përmes fakteve dhe argumenteve nga institucionet e Kosovës, ndërsa liria fetare, bashkëjetesa dhe respektimi i të drejtave të të gjithëve mbeten vlera të rëndësishme të vendit.



