Tahiri: Negociatat për projektin e MCC-së i kanë filluar Jahjaga dhe Thaçi
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe MCC-së është lajm shumë i mirë.
Megjithatë, ai ka thënë se ky projekt është nisur nga ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe ish-kryeministri Hashim Thaçi.
“Grupi parlamentar i PDK-së përshëndet dhe falënderon ShBA-të që për herë të dytë, brenda periudhës shtatëvjeçare, e involvon Republikën e Kosovës në kuadër të MÇ-së. Ky projekt në Kosovë është tash e shtatë vjet dhe negociatat për këtë projekt i kanë filluar ish-presidentja Jahjaga dhe ish-kryeministri Thaçi. Është finalizuar për herë të parë në vitin 2017 me nënshkrimin e parë të këtij projekti nga presidenti Thaçi në Kongresin Amerikan dhe siç është theksuar edhe dje në komunikatën zyrtare të MCC-së, ky grant i cili është nënshkruar me Qeverinë e Kosovës është ndarë në vitin 2019. Është fatkeqësi për Kosovën që nuk kemi filluar më herët implementimin për shkak të krizave politike, por megjithatë është lajm jashtëzakonisht i mirë për ekonominë e vendit, marrëdhëniet tona strategjike me ShBA-në që tash këto mjete të ndara, prej 236 milionë eurove, do të fillojnë të implementohen në të dyja vendet”, ka thënë ai.
Tahiri ka ironizuar edhe me Kurtin i cili dje gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në e ka thumbuar opozitën.
“Më vjen keq që nuk e kemi kryeministrin këtu me pa se si ndjehet ai përballë një projekti që është zhvilluar në kuadër të këtij 20-vjeçari, si ndihet ai përballë nënshkrimit të kësaj marrëveshje që ka filluar pikërisht të negociohet në vitin 2014 për involvimin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.



