Kusari-Lila: Marrëveshja me MCC-në dëshmon partneritetin e pathyeshëm të Kosovës me ShBA-në

28 korrik 2022 | 14:09

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe MCC-së e dëshmon partneritetin e Kosovës me ShBA-në.

Ajo, në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se qytetarët, bizneset dhe institucionet do të përfitojnë nga marrëveshja 236 milionë dollarëshe.

“Sot kemi vënë në agjendë ratifikimin e marrëveshjes kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe marrëveshjes për zbatimin e programit në mes të Kosovës dhe ShBA-së për të shënuar kështu më shumë se kurrë dëshminë e partneritetit të pathyeshëm mes ShBA-së dhe shtetit tonë. Ky projekt do t’i sjellë Kosovës 236.7 milionë dollarë grant”.

“Është lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e vendit, institucionet dhe komunitetin e biznesit, sepse në këtë mënyrë po rrisim kapacitetet tona në energji, por në të njëjtën kohë përforcojmë ekonominë tonë e cila me rritjen që ka dhe eksportet e shtuara natyrisht se do të ketë më tepër nevojë për energji. Kjo marrëveshje tregon lidhjen e pandashme me ShBA-të dhe mbështetjen që ka fokus shoqërinë dhe zgjidhjen e sfidave të kohës në qendër, duke pasur parasysh që siguria e furnizimit me energji është sfidë për shumë popuj në botë sot”, është shprehur ajo, duke shtuar se kjo marrëveshje mund të kthehet në investim më të mirë që do t’iu mbetet gjeneratave të reja.

“Kosova është e gatshme të mbështesë këtë rrugëtim për energji të pastër. Ky është investimi më i madh prej dekadash në vendin tonë që do të kontribuojë në stabilitetin energjetik dhe punësimin e grave në mënyrë që ato të fitojnë shkathtësitë e kërkuara dhe të ofrojnë asistencë teknike për punëdhënësit në fushën e energjisë duke e rritur kështu numrin e grave të punësuara në këtë sektor, ku numri i tyre është ende shumë i vogël në përqindje. Ky program redukton varësinë energjetike të Kosovës nga importi, do të mundësojë stabilizimin e furnizimit me energji, integrimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, për përgatitjen e fuqisë punëtore në sektor me gratë në qendër të kësaj iniciative”, ka thënë Kusari-Lila.

Më tutje, Kusari-Lila e ka falënderuar opozitën për qasjen ndaj marrëveshjes me MCC-në për çështjen e energjisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë…