Dimri i këtij viti do të jetë më i rëndi, Qeveria Kurti po fle

15 gusht 2022 | 09:40

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Kurti për mungesë të zgjidhjes së problemit me energji elektrike, duke thënë se dimri i këtij viti do të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë dhe se reduktimet e energjisë dhe faturat e shtrenjta do të godasin çdo familje kosovare.

Në një postim në “Facebook”, i pari i LDK-së thotë se Qeveria Kurti gjatë verës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim drejt grumbullimit të resurseve alternative për ngrohje.

“Rryma nuk ruhet në frigorifer, por ajo blihet sot për nesër gjithandej në Evropë. Termocentralet riparohen me kohë; resurset alternative përgatiten për prodhim – s’mbyllen sikurse i kanë mbyllur sot – e marrëveshjet ndërshtetërore paraprihen kur përballë ke një krizë katastrofike si kjo e ardhmja e jonë, rajonit e më gjerë”, ka shkruar ai.

Abdixhiku thotë se në shtator një pako e re fiskale do të duhej të ishte e gatshme dhe njëherësh do të duhej të ishin të gatshme subvencionimet dhe koordinimet me institucionet e energjisë, por asnjë nga këto masa nuk diskutohet në Kosovë sot.

“Po futemi drejt theqafjes, me një Qeveri që s’ka plan e as ide si të na kapërcejë përtej dimrit më të vështirë ndonjëherë. Ndonëse do t’i bëjë dy vjet pa lënë asnjë shenjë, e edhe me një dimër të vështirë, ata do të shërbehen me arsyetimet e zakonshme tashmë për 20 vjet”, ka shkruar Abdixhiku.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe mëngjesin e 15 gushtit ka kolona nëpër pikat kufitare…