Vdes krimineli i luftës, Bozhidar Deliq, disa ditë pasi u emërua nënkryetar i Kuvendit të Serbisë
Gjenerali në pension Bozhidar Deliq ka ndërruar jetë sot pas një sëmundje të gjatë dhe të rëndë. Këtë e kanë konfirmuar për “Danas”-in nga Partia e Re Demokratike e Serbisë.
Deliqi ishte zgjedhur nënkryetar në mbledhjen e Kuvendit të Serbisë. Në zgjedhjet e 3 prillit ishte bartës i listës së koalicionit DSS-POKS, si kryetar i lëvizjes “Nuk ka kthim mbrapa – Serbia është prapa”, që ishte edhe slogani i Brigadës 549 të motorizuar, e cila ka vepruar në vitet 1990 gjatë luftës në Kosovë.
Nëntogeri më i ri, koloneli dhe gjenerali më i ri në ushtrinë jugosllave, shefi i shtabit të 549 të motorizuar kishte marrë detyrën në vitin 1997. Kjo brigadë në periudhën 1998-1999 ka marrë pjesë, ndër të tjera, në Betejën e Pashtrikut, duke luftuar kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe NATO-s.
Ata ishin tërhequr nga Kosova pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila, siç ka theksuar vazhdimisht Deliqi, ishte e vështirë për shumë ushtarë dhe vullnetarë të kësaj brigade.
Për shkak të betejës në Pashtrik, brigada e tij ishte nderuar me urdhrin e heroit kombëtar, të cilën publiku e shihe edhe si heroike. Fondi për të Drejtën Humanitare ka raportuar se mbi 2 100 civilë shqiptarë u vranë në zonën e përgjegjësisë së ushtrisë jugosllave.
Ai ka dalë në pension, siç ka theksuar në mënyrë të paligjshme, në vitin 2005 në moshën 49-vjeçare. Në legjislaturën aktuale të Kuvendit, ai ishte zgjedhur në postin e nënkryetarit të Kuvendit, me sugjerim të koalicionit NADA, ku së bashku me lëvizjen e Deliqit bëjnë pjesë edhe Partia Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë.
Në karrierën e tij politike, ky gjeneral është larguar dy herë nga Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit, herën e parë së bashku me Tomislav Nikoliqin kur ishte themeluar Partia Progresive Serbe dhe herën e dytë me Nemanja Sharoviqin kur u themelua lëvizja “Ljubav Vera Nada”.
Kundër ish-komandantit të Brigadës 549 të motorizuar të ushtrisë jugosllave, Bozhidar Delic, shoqata për krime lufte “Gjakova 98-99” ka dorëzuar tre kallëzime penale në Prokurorinë Speciale të Kosovës për krime lufte gjatë luftës në Kosovë./Danas/