Kurti në Estoni pyetet nga gazetarët për Gjykatën Speciale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në Estoni me kryeministren estoneze, Kaja Kallas.
Nga gazetarët, Kurti është pyetur për Gjykatën Speciale dhe rolin e saj, si dhe nëse duhet të ketë një institucion të tillë për krimet e Rusisë në Ukrainë.
Duke u përgjigjur në këtë pyetje, Kurti ka rikujtuar shifrat e viktimave të luftërave të tmerrshme që Serbia ka shkaktuar në ish-Jugosllavi, dhe faktin që një numër shumë i vogël i serbëve janë dënuar për to.
“Në ish-Jugosllavi janë të vrarë mbi 150 mijë kroatë, shqiptarë dhe boshnjakë. Në Serbi as 150 njerëz s’kanë shkuar prapa grilave. BE-ja, vendet demokratike nuk mund të mbështeten në gjykatat e një vendi të vetëm. Ish-Jugosllavia kishte një Tribunal të veçantë që ka sjellë disa rezultate, por mbetet shumë punë për të bërë”.
“Vetëm në Kosovë janë vrarë 10 mijë civilë, 10 për qind e tyre fëmijë. Ne nuk ndjejmë që drejtësia është përmbushur. Ne do të forcojmë institucionet tona në Kosovë për dënimin në absencë. Paqja pa drejtësi nuk mund të arrihet. Duhet të ketë Tribunal ndërkombëtar për viktimat e agresionit rus dhe invazionit që filloi muaj më parë”, ka thënë Kurti.



