Ibrahimi: Sjelljet e establishmentit politik në Kosovë vazhdojnë të jenë fëmijërore
Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka thënë se sjelljet e establishmentit politik në vendin tonë, sidomos në 7 -8 vitet e fundit, fatkeqësisht vazhdojnë të jenë fëmijërore.
“Nëse lexohet me kujdes editoriali i Bloomberg, i botuar edhe në Washington Post, mund ta vërejmë se si e sheh establishmenti i Washingtonit sot Kosovën, që do të duhej të ishte një shenjë alarmi për klasën politike por edhe shoqërinë kosovare. Kosova nuk shihet më si një fëmijë i vogël, të cilit ndonjëherë edhe mund t’i falen lazdrimllëqet, por si një vend, relacioni me të cilin varet ekskluzivisht nga sjelljet dhe qëndrimet e tij. E sjelljet e establishmentit politik kosovar, sidomos në 7-8 vitet e fundit, fatkeqësisht vazhdojnë të jenë fëmijërore”, ka shkruar Ibrahimi në “Facebook”.
Ai ka theksuar se klasa politike por edhe shoqëria e Kosovës, duhet ta mësojnë një herë e mirë se partneriteti me SHBA-në nuk duhet të merret si i mirëqenë, por ai duhet të meritohet.
“Kosova duhet të tregohet partner serioz, e denjë për këtë partneritet sepse ai është vital. Mundësia më e mirë për të treguar kësi lloj partneriteti është konstruktiviteti në dialog dhe arritja e një marrëveshjeje me Serbinë sa ma parë sepse kjo përveç se është interes i rëndësishëm për vendin, është edhe interes strategjik amerikan”, ka theksuar Ibrahimi.