Zbulohet një shtresë e re nën korën e tokës
Nën korën e tokës është zbuluar kohët e fundit një shtresë e shkëmbinjve pjesërisht të shkrirë që mund të ndihmojë në shpjegimin e lëvizjeve të pllakave tektonike. I publikuar në revistën Nature Geoscience, ky rezultat u arrit nga shkencëtarët në Universitetin e Teksasit në Austin dhe Universitetin Broën. Më herët ekspertët kishin zbuluar pika shkrirjeje në thellësi të ngjashme.
Ekipi, i udhëhequr nga Junlin Hua, zbuloi shtresën rreth 160 kilometra të thellë nga sipërfaqja, brenda astenosferës, rajoni i brendshëm i planetit që formon kufirin e nevojshëm të pllakave për të lëvizur nëpër mantel.
Dendësia e kësaj shtrese dihej tashmë se ishte mjaft ‘e butë’, por shkencëtarët nuk i kishin kuptuar mekanizmat pas këtij fenomeni. Ishte spekuluar se shkëmbinjtë e shkrirë mund të ishin një faktor. Megjithatë, kjo punë tregon se shkrirja e shkëmbinjve nuk ndikon në rrjedhën e shkëmbinjve në mantel.
“Megjithëse brendësia e Tokës është kryesisht e fortë, shkëmbinjtë mund të lëvizin dhe të rrëshqasin mes tyre. Rezultatet tona tregojnë se shtresa e shkrirë nuk ka ndikim në tektonikën e pllakave. Në çdo rast nuk mund të përjashtojmë që shkrirja lokale të mos ketë rëndësi”, shpjegon Thorsten Becker, një nga autorët e studimit.
Studiuesit mblodhën imazhe dhe lexime nga stacionet sizmike në mbarë botën. Kështu ata morën një hartë globale të astenosferës . Duke krahasuar të dhënat me matjet e lëvizjeve tektonike, ata nuk gjetën asnjë korrelacion, pavarësisht se shtresa e shkrirë mbulon rreth gjysmën e Tokës.
“Kjo na lejon të thellojmë njohuritë tona për vetitë e astenosferës. Një informacion i tillë është kritik për të kuptuar tektonikën e pllakave”, komenton Karen Fischer, sizmologe në Universitetin Brown.