Basha për djelmoshat ‘kuqezi’: Luani me shpirt dhe zemër dhe çojeni Shqipërinë në ‘Euro 2024’
Ish-mesfushori i njohur i Kombëtares shqiptare, Migjen Basha vendosi para dy vitesh të tërhiqet nga futbolli i luajtur dhe të ‘varë këpucët në gozhdë’. Thuajse të gjithë jetën e tij, që nga fëmijëria e deri më tani që është 37-vjeçar ia ka kushtuar futbollit, në fillim si lojtar, e tashmë si një trajner në zhvillim e sipër.
Vetëm muaj më parë, Migjeni u diplomua nga “Shkolla e Trajnerëve” të Federatës Shqiptare të Futbollit me licencën UEFA A, një licencë profesioniste që e zotërojnë të gjithë zëvendës-trajnerët e ekipeve në kampionatet elitë dhe që është e detyrueshme për të gjithë trajnerët e ekipeve të para dhe U-21, U-19 e kështu me radhë në futbollin profesionist.
Migjen Basha nuk nguron të japë edhe sugjerimet e tij për trajnerët dhe profesorët e kursit të Shkollës së Trajnerëve në FSHF. “E vetmja gjë që mund t’i sugjeroja është që t’i jepet mundësia atyre që bëjnë kursin që të mund të kenë mundësinë të vizitojnë klubet evropiane për të kuptuar se si punohet. Besoj se do të jetë një mësim shumë i mirë për të gjithë”, sugjeron ish-mesfushori shqiptar, i cili ruan kujtimet më të mira me Kombëtaren dhe ka edhe një mesazh për kuqezinjtë.
“E kujtoj çdo ditë Kombëtaren dhe kohën që kam kaluar si futbollist me çunat e tjerë, pasi në shtëpi kam shumë foto nga koha kur luaja me Shqipërinë. Një eksperiencë e jashtëzakonshme. Ndër ditët e mia më të lumtura dhe që nuk do t’i harroj kurrë janë ato kur u kualifikuam për herë të parë në Evropianin e vitit 2016. Një këshillë kam edhe për çunat tani: Asgjë nuk është e pamundur, luani me shpirt dhe zemër dhe do t’ia dilni që ta dërgoni Shqipërinë sërish në ‘Euro 2024’”, ka shtuar Basha.