Lamtumirë Agron Haradinaj! Do të jesh gjithmonë në kujtesën e popullit shqiptar
Në varrezat e Kompleksit Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan të Deçanit me nderime të larta ushtarake të dielën i është dhënë lamtumira e fundit ish-eprorit të lartë të UÇK-së, Agron Haradinajt, djalit të veprimtarit të çështjes kombëtare, Smajl Haradinajt dhe vëllait të ish-nënkryetarit të OVLUÇK-së, Nasim Haradinajt.
Mijëra qytetarë nga gjithë Kosova, Shqipëria, Lugina dhe Maqedonia e Veriut kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit në Gllogjan, Agronit.
Në ceremoninë e varrimit të Agronit kanë marrë pjesë edhe personalitete të shumta nga jeta publike e politike në vend. Por në këtë ceremoni të varrimit mungoi i vëllai, Nasim Haradinaj, i cili po vuan dënimin prej mbi katër vjetësh nga Gjykata Speciale në Hagë, e cila pamundësoi pjesëmarrjen e tij në varrimin e vëllait. Është tepër e vështirë për Nasimin pamundësia për të hedhur një grusht dhe mbi varrin e tij, shkruan “Epoka e re”.

Agroni ishte i njohur si i burgosuri politik më i ri në ish-shtetin okupator. Pa mbushur 17 vjet ai u angazhua në rrugën e lirisë, rrugën e babait të tij, Smajlit dhe më vonë vëllezërve, Nasimit e Naimit, si pjesëtar i UÇK-së.
Agroni tërë jetën e kishte në shërbim të atdheut

Ish-kryeministri dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se sot po përcjellin për në banesën e fundit djalin e patriotit të shquar Ismajl Haradinajt, Agronin. “Agroni ishte një luftëtar mjaft i zoti. Ata që kanë qenë në luftë me Agronin e dinë se në luftimet më të ashpra dhe më të vështira ai ka qenë me ta. Ka shkuar i pari dhe është larguar i fundit. Kështu ka qenë baca Smajl në qëndresën e tij nëpër burgje, dhe kjo ka vazhduar me secilin anëtarë të kësaj familjeje. Agroni këtë qëndresë e ka transmetuar në luftë dhe ka qenë një prej komandantëve që ka aftësuar ushtarë të zot. I përjetshëm kujtimi për Agronin”, ka thënë Haradinaj në fjalimin e tij.

Ndërkaq kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka theksuar se në errësirë ku nuk shihej dritë, kishte burra e gra që e mbajtën shpresën gjallë për të pasur rreze dielli mbi këtë vend. “Përfaqësuesi më tipik i kësaj shprese ishte Ismajl Haradinaj dhe bashkudhëtarët e tij. Sot nderuam Agronin e bacës Smajl, i burgosur si 16-vjeçar. Sot kujtuam e nderuam Agronin, pjesëtarin e familjes më të persekutuar shqiptare. Sot i dhamë lamtumirën e fundit Agronit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot Agronit i thamë lamtumirë edhe në emër të Nasimit, i cili ende vazhdon të jetë në burg. Qoftë i paharruar kujtimi për ty! Lavdi!”, ka theksuar Ramosaj.

Ushtruesi i detyrës i kryetarit të OVLUÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se e kanë përjetuar rëndë ndarjen nga shoku dhe bashkëluftëtari i tyre Agron Haradinaj.

“Kjo është humbje e madhe jo vetëm për familjen, por për të gjithë ne, sepse ai nuk i kishte takuar asnjëherë vetëm familjes, sepse fatin e vet e kishte ndarë me familjen e madhe, popullin. Agroni tërë jetën e kishte në shërbim të atdheut dhe nuk ka se si mos të jetë kështu, sepse angazhimin për vendin e tij së bashku me Nasimin e kishte trashëguar nga babai, Smajli. Para luftës ish i burgosur politik, gjatë luftës së UÇK-së ndër luftëtarët më të zotë të saj dhe pas luftës kontribuues i madh i shtetndërtimit”, ka theksuar Klinaku.

Eprori Agron Haradinaj u shqua si një ndër luftëtarët më të zotë të UÇK-së
Ish-luftëtari i UÇK-së, Faton Mehmetaj, ka folur për veprimtarinë e Agronit. Ai ka ngushëlluar Nasim Haradinajn për humbjen e vëllait. “Ngushëllime Nasim për humbjen e vëllait të cilin e pate bashkëveprimtar dhe bashkëluftëtar që rrugëtuat tërë jetën drejt shtigjeve të lirisë”, ka thënë Mehmetaj.
Ai ka thënë se Agroni ishte një burrë i madh dhe veprimtaria e tij është e pavdekshme. “Atdhedashuria, ndenja më e lartë sublime, identifikohet me emrin e tij. Sot Agroni pushon në banesën e tij të fundit, por nderimi dhe kujtimi për të do të jetojnë gjatë në kujtesën tonë kolektive dhe historike. Agron Haradinaj lindi më 17 korrik të vitit 1966 në Gllogjan, në familjen e madhe të kombit shqiptar Haradinaj që dha shumë për lirinë e popullit shqiptar brez pas brezi. Agroni shkollën fillore e kreu në Gramaqel, kurse shkollën e mesme bujqësore në Pejë, sepse ishte larguar në atë kohë nga procesi mësimor në Deçan si kundërshtar politik i regjimit. Emri i Agronit është i lidhur thellësisht me Kosovën, me historinë e saj, me luftën heroike të brezave që punuan dhe sakrifikuan për liri. Agroni e bëri një jetë me plotë krajata, sepse ishte djali i Smajl Haradinajt, kryeheroit të brezit të vitit 1981, i veprimtarit të hershëm të çështjes kombëtare”, ka theksuar ai.

Mehmetaj ka treguar se Agroni ishte i angazhuar edhe në demonstrata dhe aktivitete të tjera kundër Jugosllavisë. “Pos këtyre aktiviteteve, Agroni me vëllezërit e tij Naimin dhe Nasimin dhe shokët e tjerë të idealit ishin të inkuadruar në celulat e para të UÇK-së, duke kryer një punë të madhe në organizimin e luftës në Kosovë. Me të filluar lufta në Kosovë, Nasimi e Agroni së bashku me shokë të tjerë iu bashkuan UÇK-së duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në çlirimin e vendit”, është shprehur ai, duke shtuar se eprori Agron Haradinaj u shqua si njëri ndër luftëtarët me të zotë të UÇK-së. “Një jetë të tërë ishte në shërbim të atdheut. Para lufte, në luftë dhe në paqe. Duke u bërë pjesëmarrës dhe organizator në çlirimin e Kosovës, duke qenë organizator dhe pjesëmarrës edhe i luftës së UÇPMB-së në Kosovën Lindore dhe i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni dhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës”, ka thënë Mehmetaj.

Ai ka thënë se vuajtjet dhe sakrificat e familjes Haradinaj për ta fituar lirinë dhe për ta ndërtuar shtetin ishin të mëdha. “Qëndresa dhe lavdia e kësaj familjeje ishte dhe do të mbetet e pasosur. Burgosja e Ramush Haradinajt nga Gjykata e Hagës dhe Daut Haradinajt nga Gjykata e UNMIK-ut, të ndikuara kryekëput nga Serbia dhe tash së fundi burgosja e Nasim Haradinajt nga Gjykata Speciale dhe e krerëve të tjerë të UÇK-së, shënon padrejtësitë më të mëdha që iu bënë ndonjëherë popullit tonë”, është shprehur Mehmetaj.
Agroni ishte një hero dhe luftëtar i pandalshëm
Gjenerali në pension Kudusi Lama në fjalën e tij para të pranishmëve në Gllogjan foli për takimin që ka pasur në kohë lufte me Agron Haradinajn.

Sipas tij, Agroni ishte një hero dhe luftëtar i pandalshëm. “Ishe një shok, një djalë, një njeri me shumë vlerë. Unë pata fatin e madh të bëj një copë rrugë me ty, o djalë. Jam i bindur se rrugëtova me një hero, sepse ty Agron në asnjë çast nuk të munguan siguria, thjeshtësia, qartësia për detyrën, kuraja dhe fuqia për të bërë më të mirën për lirinë e atdheut. Ti Agron ishe një luftëtar i gatshëm për sakrificë, për të bërë më të mirën në çdo betejë për luftën e suksesshme. Unë duke qenë pranë teje jam ndier mirë, i sigurt, i motivuar, i plotë dhe me shumë guxim, duke pasur më shumë besim tek ajo që po realizohej. Ti Agron luftove gjithë jetën që nga mosha e fëmijërisë. Për ta çliruar atdheun ti ishe i lirë dhe nuk mund të veproje ndryshe, sepse ishe i biri i Smajl Haradinajt, ishe vëllai i Naimit dhe Nasimit. Ishe bashkëluftëtari dhe bashkëveprimtari më i zoti i Gllogjanit dhe i Dukagjinit, i Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar”, ka theksuar Lama.

Ish-i burgosuri politik dhe bashkëveprimtar i Smajl Haradinajt, Hasan Ukëhaxhaj, tha se Agronin e kishte njohur nga fëmijëria. “Sot na ka bashkuar Agroni jo ashtu siç do të dëshironim, por jeta është e tillë dhe na dikton që të takohemi edhe në momente dhimbje si ky i sotmi. Agroni 56-vjeçar, i cili me këtë moshë ka arritur të bëjë shumë për atdheun, do të thosha më shumë se ndonjë tjetër që do të jetonte edhe 100 vjet, dhe kjo po dëshmohet me pjesëmarrjen tuaj në nderimin e tij. Ky djalë i ri, për të cilin kam veç kujtime të mira, meqë kam pasur fatin ta njoh si fëmijë. e ndoqi ngado babanë dhe vëllanë e tij nëpër të gjitha shtigjet e vështira të jetës në rrugëtimin e lirisë për vendin tonë”, është shprehur Ukëhaxhaj.

Agroni ishte zemra dhe palca e UÇK-së
Ish-komandanti i UÇK-së, Agim Çeku, ka theksuar se Dukagjini dhe Kosova po e përcjellin sot në përjetësi Agron Haradinajn, kryengritësin dhe luftëtarin e papërkulur. “Ai ishte zemra dhe palca e UÇK-së. Kjo dhimbje e madhe aq sa rëndon për ju familjarë po aq rëndon mbi bashkëluftëtarët dhe bashkëveprimtarët me të cilët Agroni i ndau vuajtjet e burgjeve dhe istikamet e luftës. Ju familjarë dhe ne nuk guxojmë të ligështohemi sepse Agroni nuk është ligështuar kurrë, ai na ka dhënë forcë dhe kurajë kur ka qenë më së vështiri. Këtë forcë sot duhet ta gjejmë te jeta dhe vepra e tij e lavdishme e cila meriton nderim dhe respekt të pakufi nga ne dhe ata që do të vijnë pas nesh. Nga kjo ceremoni mortore, nga Gllogjani heroik, i përcjell ngushëllimet më të thella mikut dhe bashkëluftëtarit tim Nasimit dhe drejtuesve të tjerë të UÇK-së që janë në Hagë, të cilët me Agronin i bashkon UÇK-ja dhe rruga e lirisë. E di se sa e rëndë ka qenë për Nasimin që nuk ka mundur të qëndrojë pranë vëllait në frymën e fundit. Është tepër e vështirë për të, mungesa në varrim të vëllait dhe pamundësia për të hedhur një grusht dhe mbi varrin e tij, por Nasimi është i fortë e do ta përballojë edhe këtë dhimbje. Ai është atje në mbrojte të UÇK-së dhe lirisë sonë, në mbrojtje të luftës dhe idealeve të Agronit. Ai është atje edhe për Agronin”, ka thënë Çeku.

Ish i burgosuri politik dhe bashkëluftëtari Ramë Buja në fjalën e tij tha se Agronin e kishte takuar në rrethana tepër specifike, në një vend shumë specifik. “Kur u takova mendova se është një djalë me moshë mbi 20-vjeçar por, në fakt, ai akoma nuk kishte mbushur të 18-tat. Qëndresa e tij, burrëria e tij, rezistenca e tij dhe këshillat tij për ata që vinin pastaj në burgjet e Serbisë, ishte e jashtëzakonshme. Pas burgut, rruga na takoi edhe në rrethana të tjera. U takuam edhe në luftë. Ky djalë dhe ky burrë që sot po përshëndetemi ishte emblemë e lirisë”, ka thënë Buja.
Në emër të familjes ka folur e motra e Agronit, Shqipja. Ajo ka falënderuar të gjithë ata që po ndajnë dhimbjen me ta. “Pas gjithë këtyre fjalëve që dëgjuam s’di çfarë t’ju them tjetër, vetëm t’ju falënderoj shumë nga zemra që përkujtuat jetën e vëllait tonë që nga lëvizja e gjerë te lufta e lavdishme e UÇK-së që na solli lirinë. Edhe një herë ju falënderoj shumë të gjithë që keni marrë pjesë në nderimin e vëllait tonë”, ka thënë motra e Agronit, Shqipja.

Më 2 mars të këtij viti pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit dhe burrit të devotshëm të çështjes kombëtare, Agron Haradinaj, në një spital në Gjermani, si pasojë e torturave të përjetuara nëpër burgjet jugosllave, por edhe nga pasojat e luftës. Emri dhe vepra atdhetare e Agronit do të mbesin gjithmonë në kujtesën e popullit shqiptar.



