Sali Bislimi në Parlamentin zviceran, deputeti Manfred Bühler: Vendimi ndaj Thaçit është skandaloz, prek sovranitetin e Kosovës
Veprimtari Sali Bislimi ka bërë me dije se sot ka qëndruar në Parlamentin e Zvicrës, ku ka zhvilluar takime dhe ka lobuar lidhur me një interpelancë për vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Bislimi ka thënë se gjatë qëndrimit në Parlament është takuar me mikun e tij, Manfred Bühler, avokat, kryetar i UDC/SVP-së në kantonin e Bernës dhe parlamentar aktual, i cili, sipas tij, ka nënshkruar rezolutën për Gjykatën Speciale, duke kërkuar një gjykim “të drejtë, të paanshëm dhe të barabartë”.
Sipas Bislimit, Bühler e ka cilësuar vendimin ndaj Thaçit si “skandaloz” dhe si një vendim që prek sovranitetin e Kosovës.
“Gjykimi i Presidentit Thaçi është vendim skandaloz, që prek sovranitetin e Kosovës dhe nuk respekton shtetin e pavarur të Kosovës”, ka cituar Bislimi të ketë thënë Bühler.

Bislimi ka shkruar se gjatë bisedës është diskutuar edhe për financimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke pretenduar se Bashkimi Evropian ka investuar rreth 500 milionë euro, ndërsa Zvicra 605 mijë euro për sensibilizimin lidhur me këtë gjykatë.
Ai ka përcjellë edhe një deklaratë tjetër të Bühlerit, sipas së cilës gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së ishte i bazuar, sipas tij, “në imagjinatë” dhe pa prova konkrete.
“Do t’i jepja po aq para sa është krijuar për suprimimin e kësaj Gjykate”, citohet të ketë thënë Bühler.
Bislimi ka shkruar se gjatë vizitës në Parlamentin zviceran ka takuar edhe deputetë të tjerë, me të cilët, sipas tij, ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.
“Shumë miq mendonin se pas përfundimit të luftës së Ukrainës, Ballkani do ta ketë radhën”, ka shkruar Bislimi, duke shtuar se ka pasur edhe tema të tjera që, sipas tij, do të jenë pjesë e bashkëpunimit të ardhshëm me Manfred Bühler dhe Reto Nause.
Në postimin e tij, Bislimi ka falënderuar për mikpritjen edhe deputetin zviceran Daniel Ruch.
Në fund, ai ka përcjellë një thënie që ia atribuon Winston Churchillit, për të cilën shkruan se kur ishte pyetur mes turpit dhe luftës cilën do të zgjidhte, ai ishte përgjigjur se do të zgjidhte luftën, pasi turpi do të sillte përsëri luftën.
Bislimi e ka mbyllur postimin me thirrjen: “Kosovë, sot o kurrë bashkë për t’i dalë përpara rrezikut që i kanoset Kosovës, për hir të 100 mijë viktimave të rënë gjatë gjithë historisë për lirinë që sot ne e gëzojmë!”



