Kurti: Është për të ardhur keq që Lajçaku e ka pranuar kushtëzimin nga Serbia

14 shtator 2023 | 16:38

Kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ka propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshje së Brukselit dhe atë të Ohrit.

Kurti ka thënë se Vuçiqi nuk ka dhënë asnjë propozim dhe rrjedhimisht takimi ka përfunduar pa rezultat, teksa ka shtuar se nuk ka mundur të ketë kompromis, pasi sipas tij, nuk mund të ketë kompromis midis propozimit me sekuencë dhe kushtëzimit të vjetër – Asociacionit.

“Kur unë kërkova që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, sepse më tha që ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendej që ta sjellin dhe vetëm pas përfundimit të takimit mu dha një dyfaqësh në anglisht dhe cirilike që paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që do të thotë se nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar i palës serbe, por ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe eventualisht pastaj mund të kalojmë në marrëveshjen bazë”, ka thënë Kurti.

Më tutje, ai ka thënë se iu desh t’i thotë Borrellit  dhe Lajçakut se nuk janë në prillin e vitit 2013 kur në dhomë ishte Catherine Ashtoni, Kupperi, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

“Neni 10 i marrëveshjes bazike thotë që duhet të zbatohet të gjitha marrëveshjet, të cilat janë të obligueshme e valide e janë 39 sosh. Por nuk mund të përzgjidhet vetëm një e tillë e të vendoset sikur qerrja para kuajve. Pra, një kushtëzim të tillë s’e kam pranuar”.

“Është për të ardhur keq që Lajçaku e ka pranuar një kushtëzim të tillë nga Serbia, dhe atë e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues por unë nuk mund ta pranoja një gjë të tillë duke cenuar Kosovën”.

“Pra, edhe këtë dokumentin tjetër që është më i vjetër se 6 muaj që paraqet dokumentin e kushtëzimit të Serbisë, që njëherë AKS-ja e pastaj shohim, nuk kemi qenë në dijeni që ka një dokument të tillë. Nuk mund të quhet propozim, por është kushtëzim”, ka thënë Kurti.

Tutje, ai tha se është për të ardhur keq që pikërisht kur është konstruktiv, shkaktohet një lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, e vlerëson…