Gashi: Pozita ka gënjyer, LDK-ja i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë se deputetë të pozitës kanë gënjyer kur kanë thënë se LDK-ja nuk i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare.
Ai ka thënë se kanë bashkëpunuar gjithherë në votimin e këtyre marrëveshjeve përveç njërës.
“Meqenëse në vazhdimësi kemi parë shpifje dhe të pavërteta nga ministri i Financave që deklaron në ‘Facebook’ se LDK-ja nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare nuk është e vërtetë, sepse ne i kemi përkrahur, përveç një marrëveshje, të gjitha të tjerat. Po ashtu të njëjtën gjë e ka bërë kryetari i Komisionit të Ekonomisë, duke mos e përmendur në mënyrë eksplicite LDK-në, por duke e gjeneralizuar opozitën. Mendoj se është e padrejtë, e pasaktë dhe e paduhur dhe nuk i kontribuon konsensusit në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.
Por, më pas LDK-ja nuk ka marrë sërish pjesë në votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare që është shtyrë në një seancë tjetër.



