KEDS zë më shume se 600 persona duke vjedhë rrymë gjatë muajit nëntor
Zvogëlimi i humbjeve në rrjet, krahas investimeve, vazhdon të mbetet prioritet fondamental i KEDS-it. Aksionet për kontrolle te keqpërdoruesit e dyshimtë të energjisë elektrike vetëm sa po shtohen, tashmë kur jemi futur në sezonin e dimrit.
Ekipet e kontrollit të KEDS-it të shpërndarë gjithandej Kosovës vetëm gjatë muajit nëntor kanë realizuar afër 8,500 kontrolle, prej të cilave më shumë se 600 sosh janë zënë në vepër duke e vjedhë energjinë elektrike. Të gjithë këtyre konsumatorëve, me t’u zënë, u faturohet rikthimi i humbjeve i barasvlershëm me faturën 6 mujore, nëse janë konsumatorë të amvisërisë, dhe me faturën njëvjeçare nëse janë biznese, pra konsumatorë komercialë.
Pos kësaj, keqpërdorimi i energjisë elektrike hyn në kuadër të “Vjedhjes së Shërbimeve”, e cila, sipas nenit 314 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është e dënueshme deri në tri vjet burg.
Se KEDS e ka përnjëmend në luftimin e kësaj dukurie deri tek identifikimi i rastit të fundit, tregojnë faktet në terren. Shifrat flasin vetë! Për 11 muajt e parë të këtij viti, përkatësisht në periudhën janar-nëntor janë realizuar rreth 80 mijë kontrolle, prej të cilave janë identifikuar 6 mijë raste të keqpërdorimeve.
Të njëjtën kohë, me qëllime të vetëdijesimit të publikut, KEDS kohën e fundit ka ndërmarrë një fushatë informimi për opinionin publik lidhur me pasojat që mund të ketë kushdo që keqpërdor energjinë elektrike.
Fushata “Rryma t’kushton ma lirë” do të thotë përdorim legal i energjisë elektrike dhe, sado që një konsumator shpenzon në muaj, atij i del më lirë sesa nëse e konsumon atë ilegalisht, pra më lirë sesa pagesa që duhet të bëjë në formë të rikthimit të humbjeve të shkaktuara ndaj kompanisë, më lirë sesa dënimi me gjobë dhe me burg nga gjykata dhe më lirë se sa rrezikimi i sigurisë personale dhe i ambientit përreth që vjen nga vandalizmi i infrastrukturës elektroenergjetike.
Mos e vjedh rrymën!
Rryma t’kushton ma lirë!