Politikani gjerman: Serbët po manipulohen nga Kosova dhe Serbia, Vuçiqi është në presion
Në kuadër të vizitës në Kosovë, delegacioni i Grupit të Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë, ka zhvilluar një takim me anëtarët e Komisionit për Integrim Evropian.
Në këtë takim është biseduar për tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Para gazetarëve, ka folur politikani gjerman i Partisë Socialdemokrate (SPD), Josip Juratoviq.
Ai ka folur për trazirat në Serbi, si shkak i manipulimit të zgjedhjeve nga ana e partisë së presidentit, Aleksandër Vuçiq.
Ndërsa për serbët në Kosovë, Juratoviq ka thënë se janë të shqetësuar dhe po manipulohen nga Kosova dhe Serbia.
“Mendoj se ajo që po ndodh aktualisht, kemi folur edhe për të është sigurisht një përpjekje e Vuçiqit për të treguar se sa i rëndësishëm është ai për serbët këtu në Kosovë. Dje ishim edhe në Mitrovicën e Veriut, njerëzit janë shumë të shqetësuar dhe shumë prej tyre po manipulohen dhe po lihen pas nga të gjithë, si nga Serbia ashtu edhe këtu nga Kosova. Ata janë në fakt në një vakum”, ka thënë ai.