Kemi më së shumti thëngjill, mirëpo Kosova bleu rrymë afro 120 milionë euro vitin 2023
Që të mos mbetet në terr, gjatë vitit të kaluar Kosova importoi rrymë 116 milionë euro.
Gati gjysma e kësaj shume, u blenë nga Maqedonia e Veriut me 49 milionë euro, pasuar nga Shqipëria me afër 36, e Sllovenia me 17 milionë euro.
Për kryetarin e Komisionit për Ekonomi, Tregti e Industri, Ferat Shala, blerja e 180 mijë megavatëve më tepër se sa rekomandoi Zyra e Rregullatorit për Energji paraqet shkelje.
Nga ZRrE-ja pret raport edhe parta në pushtet, që rritjen e importit e arsyeton me investimet që po bëhen në termocentralin Kosova B.
Në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, evidentohen edhe blerjet e energjisë nga Spanja e Serbia. Këto i mohon anëtari i Komisionit për Ekonomi Armend Muja, i cili shton se ato janë vlera të papërfillshme.
Opozita po kritikon se do rritet akoma importi pasi qeveria la anash energjinë e ripërtërishme.
Nga pranvera e 2023-ës u miratua edhe strategjia për energji por që sipas minorancës si e tillë duhet plotësuar.