Kurti takon edhe Fikrim Damkën, të dyja palët shprehën vullnetin e bashkëpunimit

03 prill 2025 | 12:00

Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, priti sot në takim ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), bashkë me kryetarin e Komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç, që gjithashtu mban pozitën e nënkryetarit të KDTP-së.

Bashkë diskutuan për hapat përpara për formimin e institucioneve të legjislaturës së 9-të të dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.

Kryeministri Kurti falënderoi Damkën për punën si ministër i kabinetit në këtë mandat të plotë të qeverisë dhe për bashkëpunimin e afërt si në qeveri ashtu edhe në kuvend.

Të dyja palët shprehën vullnetin dhe gatishmërinë që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në legjislaturën në vijim.

Ky takim u mbajt në kuadër të konsultimeve me partitë politike të komuniteteve joshumicë për formimin e qeverisë së re pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Përgjatë ditës kryeministri do të zhvillojë takime edhe me drejtues dhe përfaqësues tjerë të partive të komuniteteve joshumicë që kanë fituar mandat të përfaqësimit në kuvend.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Universiteti i Prishtinës ka arritur memorandum bashkëpunimi me Fondacionin “Bonevet”.…