A do ta gjunjëzojë koronavirusi Amerikën?

08 prill 2020 | 23:02

Fadil Maloku

1. Nëse, me Amerikën identifikohet bota dhe civilizimi perëndimor, e nëse me civilizimin perëndimor identifikohet sistemi dhe botëkuptimi i ideologjisë neoliberale, e ajo pastaj me tendencën dhe proceset e globalizimit, atëherë, ka shumë indicie që periudha postpandemike, të duket shumë më ndryshe se sa ishte në këto dy dekadat e këtij mileniumi. Shumica e supozimeve dhe analizave në nivel global, gjithnjë e më shumë janë duke dëshmuar (tashmë edhe me shifra) pasojat e ndikimit negativ në proceset e globalizimit nga ana e pandemisë së koronavirusit. Në fakt, akti i orientimit dhe bazimit në kryesisht resurset vetanake shtetërore, për shumicën e këtyre ekspertëve dëshmon se sa i lëndueshëm dhe sa provizor ishte “arkitektura” e shkrirjes së sovraniteteve shtetërore, sidomos kjo BE-ane. Ku anipse, Brukseli ka dekada të tëra që është duke proklamuar e promovuar vetën si “kryeqytet” evropian, ashtu siç është Washingtoni për kontinentin amerikan, në pandeminë virusale e dëshmoj krejtësisht të kundërtën!? Bile pati edhe raste si në Itali ku njerëzit duke parë këtë shpërfillje të Brukselit, publikisht e hoqën flamurin dhe simbolin evropian, duke e zëvendësuar atë me flamurin kinez (shkaku që mjekët kinez bashkë me ata rus ndër të parët ofruan ndihmën mjekësorë)!

2. Pra, shtetet evropiane që u atakuan më së shumti nga koronavirusi, si Italia, Spanja, po edhe Gjermania e Franca, me veprimet dhe sjelljet e tyre të orientuara kryesisht kah interesat kombëtare, dëshmuan që në situata të tilla pandemike të rrezikut shtetet, popullsinë e vetë nuk munden dhe nuk duan me ia bartë asnjë mekanizmi kolektiv, e asnjë institucioni mbinacional. Këtë lloj “superegoizmi” kolektiv, do thosha kemi mundur me e pa edhe në rastin skandaloz pothuajse, kur Administrata Trump, tentoj ta “blej” të drejtën zhvillimit të vaksinës kundër virusit COVID-19!? Gjë që me siguri kjo do lë pasoja edhe në marrëdhëniet bilaterale midis gjermanëve dhe amerikanëve, edhe për shkak se zyrtarët gjerman, tashmë dihet botërisht që dënuan publikisht, si indiferencën e shprehur, ashtu edhe tentativën e mashtrimit. Sepse, në këto raste dhimbjeje, hutie e sidomos frustrimi kolektiv siç u ndodhi italianëve, spanjollëve e gjermanëve, dosido çfarëdo veprim vetanak e egoist i sidomos SHBA-ve, do kuptohet si zbehje e ushtrimit të ndikimit të saj në gjithë botën. Këtu s’duhet harruar gjithsesi edhe urdhrin e Presidentit aktual amerikan, për mbylljen apo pezullimin e kufijve me evropianët, që është një presedan që s’mbahet në mend as në dy luftërat e kaluara!?

3. Për neve shqiptarëve, si populli më proamerikan në rruzull, kujtoj që leksioni për miqësinë amerikano-gjermane, do ishte shembulli më i mirë për ta ilustruar tezen e pyetjes kisingjeriane se “në politikë s’ka miq të përhershëm, po ka vetëm interesa të përhershme”! Nëse, i adresohemi pyetjes së lartcekur, atëherë tash për tash mund të konstatojmë që; edhe nëse, nuk e ka shkatërruar tash për tash globalizimin (rendin e ri botërorë neoliberal), padyshim që e ka zbehë dhe e ka dobësuar shumë kohezionin e standardeve dhe vlerave demokratike, mbi solidaritetin kolektiv midis shteteve, popujve, civilizimeve e kulturave të ndryshme në botë. Në ndërkohë, jemi dëshmitarë që Kina po rikuperohet – anipse, nuk mund ta pohojmë këtë prerazi. Mirëpo, nëse ajo në këtë pandemi globale gradualisht po ringritet dhe po rikuperohet kryesisht si duqi globale ekonomike, në këtë intervalin kohor kur SHBA-ja dhe Evropa po kulmojnë për dekada e shekuj të tërë me emancipimin e tyre; ekonomik, social, politik, ushtarake, e kulturore, atëherë ekziston mundësia reale që një situatë e tillë e “solidaritetit kolektiv” që u testua dhe u demonstrua publikisht në Itali, e së fundi edhe tek komshinjtë tanë në Serbi (ku aeroplanë të tërë ndihmash në njerëz dhe materiale në tonelata kanë arritur. Dhe ku presidenti serb, kinezët i identifikon edhe si “vëllezër”!?) të interpretohet edhe si avancim ekonomik dhe strategjik i Kinës, pikësëpari ndaj Amerikës dhe Evropës, e më pastaj edhe ndaj vendeve tjera të rruzullit. Tradita jonë na më mëson se; “miku i mirë, dihet në ditët e vështira”! E ato ditë duket që do na trokasin patjetër, pasi që të ikën pandemia e koronavirusit…! Në këtë kontekst, në ndërkohë padyshim që do testohet dhe dëshmohet edhe miqësia jonë me Amerikën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në emisionin Pressing…