Profesor Beqir Berisha, shqiptari i dinjitetit

17 maj 2026 | 23:17

Në kujtim të Profesor Beqir Berishës (1935 – 2026): Shqiptari i dinjitetit mbi të gjitha dhe i idealit të palëkundur


Shkruan:Arsim Sinani

Më 3 maj 2026, Tetova, Kosova dhe mbarë hapësira shqiptare humbën një nga shtyllat më të forta të elitës intelektuale, arsimore dhe kombëtare, Profesor Beqir Berishën. Ai u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare, pas një përballjeje me një sëmundje  të rëndë.

Me ikjen e tij, shoqëria jonë humbi një filozof të mprehtë, një gazetar kurajoz dhe një prind të përkushtuar, i cili rriti dhe i fali kombit figura po aq të shquara, siç është djali i tij, politologu dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së për mërgatën, Bardhyl Mahmuti.

Portretizimi i Beqir Berishës është ai i një shqiptari të rrallë, i cili dinjitetin e vendosi mbi të gjitha, ndërsa idealin e ruajti të pastër dhe të paprekur deri në frymën e fundit.

Në plejadën e artë të intelektualëve të pakompromis

Beqir Berisha hyn me meritë të plotë në plejadën e artë të vizionarëve dhe intelektualëve të pakompromis në raport me sundimin sllav. Si i tillë, ai qëndroi i palëkundur gjatë gjithë jetës në idetë e tij të qarta për bashkim kombëtar. Ky idealizëm reflektohet më së miri në narrativat e tij, në diskursin e lartë dhe në penën e mprehtë. Idetë e tij shpesh ishin dhe mbeten përtej mundësive e kufizimeve të klasës politike shqiptare, duke e vendosur atë në rangun

e mendimtarëve që paraprijnë epokat.

Filozofia e Bashkimit Kombëtar dhe brumosja e rezistencës

Filozofia e Beqir Berishës nuk ishte thjesht teori kabinetesh, por një udhërrëfyes jetësor i kthyer në veprim. Kjo pasqyrohet më së miri në mënyrën se si ai i edukoi fëmijët e tij: me frymën e mosnënshtrimit dhe të rezistencës së gjallë.

Ishte pikërisht kjo frymë e mbjellë në vatrën e tij familjare që djali i tij, Bardhyl Mahmuti, dhe djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e jetësuan në terren, duke organizuar luftën dhe duke sjellë lirinë e shumëpritur. Këmbëngulësia dhe burimi i kësaj rezistence të madhe historike vinin pikërisht nga figura si Beqir Berisha, të cilat refuzuan t’i nënshtroheshin robërisë dhe nuk donin t’ia dinin për egërsinë e regjimit pushtues.

Kalvari i Burgut Politik, Përndjekja dhe “Kujtesa e Hidhur”

I mirëformuar në fushën e filozofisë, sociologjisë dhe pedagogjisë, Beqir Berisha (i lindur më 11 shkurt 1935) e ktheu profesionin e tij në armë emancipimi. Gjatë kohës që shërbente si profesor në Gjimnazin e Tetovës dhe si këshilltar arsimi për rajonin e Pollogut, ai u bë frymëzues i rinisë.

Pas demonstratave historike të vitit 1968 në Tetovë, qëndrimi i tij i prerë dhe refuzimi i nënshtrimit ranë në sy të regjimit të asaj kohe. UDB-ja jugosllave e vuri nën një survejim të rreptë operativ për shkak të bashkëpunimit dhe miqësisë së tij të ngushtë me udhëheqësin e atyre demonstratave, Mehmet Gegën. Profesor Beqiri u dënua me burgim politik, ndërsa banesa e tij u kthye në një vatër të ngrohtë dhe strehë të sigurt për ilegalen kombëtare. Këtë kalvar vuajtjesh, sakrificash dhe përndjekjesh ai e dokumentoi më vonë me vërtetësi të lartë në librin e tij autobiografik “Kujtesë e hidhur” (Tetovë, 2010).

Kryeredaktori i parë i Revistës “Shkëndija”

Pas daljes nga burgu, Profesor Beqiri la gjurmë të pashlyeshme edhe në historinë e gazetarisë, publicistikës dhe arsimit shqiptar në Kosovë. Në kuadër të Ndërmarrjes Botuese “Rilindja” në Prishtinë, ai u emërua kryeredaktori i parë i revistës pedagogjike “Shkëndija”. Nën drejtimin e tij vizionar, kjo revistë u shndërrua në një platformë jetike për emancipimin, përhapjen e metodave të reja të mësimdhënies dhe ngritjen kulturore e kombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Eruditi i Penës: Trashëgimia e veprave të tij

Profesor Beqir Berisha shkroi, studioi dhe botoi pa rreshtur, duke lënë pas një korpus të pasur prej 16 veprash të botuara. Librat e tij dëshmojnë për një mendje universale dhe ndahen në tri shtylla kryesore:

“Filozofi dhe Eseistikë” (botuar nga Shtëpia Botuese “Çabej”, Tetovë), “Filozofia antike” (Tetovë, 2010) – Një tekst i thellë mbi zanafillën e mendimit njerëzor.

“Filozofimi midis logjikës dhe absurdit” (Tetovë, 2013) – Një analizë e mprehtë mbi dilemat ekzistenciale të kohës sonë. “Letra filozofike për edukatën” dhe “Eseje filozofike” (Tetovë, 2015) – Trajtesa mbi pedagogjinë dhe formimin intelektual.

Poashtu botoi Monografi dhe Kujtesë Historike si:

“Kujtesë e hidhur” (Tetovë, 2010) – Libri dëshmues i jetës dhe burgut të tij politik. “Do ta bëjmë Shqipërinë” (Kështu fliste Mehmet Gega) (Prishtinë, 2007) – Një homazh kushtuar mikut të tij të idealeve dhe simbolit të qëndresës së Tetovës.

Botoi edhe në tema si: Politologji, Ideologji dhe Analizë Kombëtare si vijon: “Përse luftuan shqiptarët? : letër diplomacisë ndërkombëtare”. “Çështja kombëtare shqiptare dhe ‘ultrakomunistët’ shqiptarë”. “Fundi i një aventure politike”, “Revolucioni që tronditi botën”.

Dashuria e tij e pakufishme për fjalën e shkruar dhe librin u dëshmua edhe në çastet e fundit të jetës. Libri i fundit që Profesor Beqiri mbajti në duar dhe lexoi para se të mbyllte sytë përgjithmonë ishte romani më i ri i djalit të tij, Bardhylit, i titulluar “Revolta e Syzifit”.

Profesor Beqir Berisha u përcoll për në banesën e fundit më 4 maj 2026, në varrezat e qytetit të Tetovës, i rrethuar nga nderimi i madh i familjarëve, miqve, kolegëve, ish-nxënësve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë. Ai iku nga kjo botë me misionin e kryer përballë familjes dhe atdheut të tij. Emri, qëndresa, dinjiteti i tij i lartë dhe librat që la pas do të mbeten të skalitur si një monument i gjallë dhe i përjetshëm në historinë e mendimit filozofik dhe të qëndresës kombëtare shqiptare.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ethem Çeku Jabllanica ishte një nga fshatrat që, që…