A do t’i shpallë Gjykata Speciale zgjedhjet e parakohshme në Kosovë?!

27 nëntor 2020 | 16:45

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

 Kujt po i kruhet, kujt po i kruhet: Midis partnerëve të koalicionit qeverisës duket se më nuk ka dashuri, madje as dashuri të interesit që, sidomos në vitet e fundit, është bërë vulë e patriotizmit. Pra, interesi material është bërë flamur mbi interesin kombëtar dhe shtetëror. Çështja e të bërit koalicion në Kosovë as më parë nuk ishte ngritur mbi parime që vlejnë për shtetet demokratike, prandaj edhe qeverisja ishte nën çdo parim apo qeverisje e ngritur mbi bazën e interesit material, partiak, grupor dhe nepotist. Nëse sot e bëni një lexim të emrave që kanë bartur poste institucionale, atëherë aspak nuk duhet të habitemi për gjendjen në të cilën jemi. Madje punët i kemi shumë më mirë krahasuar me përkushtimin dhe profesionalizmin që na ka munguar, sidomos aty ku kërkohej. Është interesant fakti se sa ishim në vuajtje të dënimit në llogoret e ish-Jugosllavisë, asnjëherë nuk kemi diskutuar se duhet ta marrim pushtetin, t’i ndajmë postet apo jaranizmin ta bëjmë kriter të vetëm për punësim apo angazhim politik ndonëse disa prej nesh, pasi na e dhanë mundësinë, u treguam më grykës se vetë ata që kishin qenë në pushtet në kohën e ish-Jugosllavisë. Kjo ka ndikuar që asnjëherë nuk kemi arritur ta ndërtojmë një kurriz politik të mbështetur në dije, profesionalizëm dhe parime. Për më keq, i kemi eliminuar apo vendosur në margjina ata që tërë jetën e sakrifikuan për liri, çlirim, çështje dhe bashkim kombëtar si rasti i Bacës Adem Demaçi apo edhe i komandantit legjendar Adem Jashari, i cili as për së afërmi nuk vlerësohet për sakrificën e bërë. Prandaj nuk mund të mbillni hitha e të korrni trëndafila. Një trëndafil e ka Kosova, Ekaterina Trëndafilova, kryetare e Gjykatës Speciale Njëetnike, Politike, dhe Raciste të Bangladeshit  (Kosovës). Uroj që këtë shkrim të mos e lexojë ambasadori i kategorisë super të rëndë se, më mori lumi. Ishin pritje të mëdha për koalicionin LV-LDK, madje edhe unë pata përkrahur këtë koalicion. Thuaja se 50 për qind e deputetëve të Kosovës ishin shqiptarë dhe për herë të parë vendimarrja nuk kushtëzohej nga Lista Serbe, ndërkaq që opozita premtoi se çdo marrëveshje apo ligj që është në dobi të Kosovës, do ta votojë. Kur doni të bëheni me shtëpi vlen një rregull; shtëpinë e parë e shitni, kurse të dytën e mbani për vete. Edhe Albin Kurti dhe LV-ja besnikërisht iu përmbajtën këtij rregulli, qeverisjen e parë e abortuan me vetëdëshirë kurse tani me çdo kusht duan zgjedhje të reja, me shpresë se do të qeverisin, madje edhe pa të tjerët sepse, sipas sondazheve, ata do t’i kenë së paku 55 deputetë e që është vështirë për të besuar! Po qejfi është më i madh se Stambolli! Një ditë para zgjedhjeve të fundit, 100 për qind kam parashikuar renditjen e subjekteve politike dhe se shkrimin e pata përfunduar se:

“Fituesi i këtyre zgjedhjeve do të jetë humbësi më i madh…”. Doli pikërisht ashtu! Po të sillej LV-ja më mirë me LDK-në, sot do të qeverisnin bashkë, Albini do të ishte kryeministër dhe, pa asnjë dyshim më shumë se 50 për qind e anëtarësisë së LDK-së do të ishin në anën e Vjosa Osmanit. Me një sjellje joracionale, imponuese dhe diktatoriale, LV-ja dhe Albini e rrënuan koalicionin duke e lënë Vjosa Osmanin thuaja pa krahë apo me vetëm një krah, Haxhi Avdylin. Ndërkaq dihet se me një krah nuk mund të fluturohet! LV-ja dhe LDK-ja me një mirëkuptim dhe respektim do të bënin punë të mira aq më parë që opozita kërcënohej me kryqëzim nga Juda i drejtësisë apo, siç e kanë karikatizuar Gjykatës Speciale, kryeprokurori Jack Smith. Pata shkruar, gjithashtu, se në asnjë rrethanë, në kohë të pandemisë dhe me një arsyetim lëvyrës (prishjes së miqësisë me Grenellin dhe Trumpin), nuk do ta kisha votuar mocionin për rrëzim të qeverisë Kurti. PDK-ja e ka pasur një mundësi të jashtëzakonshme të profilizohet si parti opozitare dhe të reformohet në baza të shëndosha nëse nuk do ta votonte mocionin për rrëzim të qeverisë Kurti. Nuk e bëri dhe gaboi!

Gjykata e Dick Martit e jo KQZ-ja, Ekaterina Trandafilova e jo Valdete Daka mund të organizojnë zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë: Gjykata Speciale Njëetnike, politike dhe Raciste e nisi kryqëzimin e UÇK-së duke gozhduar, për fillim ish-krerët politikë, ushtarakë dhe policorë, për të bërë gati kryqe të tjera edhe për së paku 300 të tjerë (deri më tani) që do të gozhdohen fizikisht (të paraburgosur dhe të dënuar) dhe moralisht (duke i kushtëzuar të bëhen dëshmitarë, të mbrojtur e të cilët del se janë krejtësisht të pambrojtur). Të gjithë këta do ta kalojnë, fizikisht të gozhduar apo moralisht të gozhduar, Via Doloressa (Rrugën e Dhimbjeve), nga Beogradi, deri në Hagë. Gjykata po imponon zgjedhje të reja dhe po del të jetë votuesja kryesore në Kosovë. Kujt po i kruhet më së shumti për zgjedhje përveç Ekaterian Trandafiloves?

  1. LV-së dhe Albin Kurtit: LV-ja dhe Albin Kurti, që nga çasti kur morën në thua në Kuvendin e Kosovës me ndërskëmcat e LDK-së, PDK-së, AAK-së, Nismës, Pakicave dhe Grenellit asnjëherë më nuk e kanë dëgjuar Bob Marlin, por të vetmen këngë e kanë pasur: “duam zgjedhje…”. Kanë të drejtë për faktin se i fitojnë, pa asnjë problem zgjedhjet, por nëse ata i fitojnë 55 deputetë, edhe unë do të shkoj të jetoj në Katmandu, kryeqytet i Nepalit dhe të bëhem mbret për faktin se atje po ka shumë probleme. Pra, në këtë rast, Albini mbret në Kosovë, Behxheti mbret në Nepal! Nëse LV-ja nuk arrin një marrëveshje parazgjedhore, vuajtjet e saj do të bëhen të padurueshme pas zgjedhjeve; i fiton zgjedhjet dhe nuk gjenë partnerë për qeverisje! Nëse shkohet në zgjedhje sipas kalendarit të Dick Martit dhe Ekaterina Karanfiloves, mund ta kemi një përafrim midis LV-së dhe AAK-së ku të gjithë do t’i arrinin synimet; Albini, kryeministër, Ramushi, president dhe neoshqiptari Pacolli, zot i diplomacisë apo kryetar Kuvendi. Sipas vendit, bëhet edhe Kuvendi!
  2. LDK-ja: Nuk është aspak e interesuar të shkojë në zgjedhje sepse vlerëson se nuk do të ndahet mirë, prandaj preferon gjendjen: “më mirë një zogëz e pemëve të glasitura në Prishtinë në duar, se një elefant në Parkun Kaldahari të Afrikës. Gjykata Speciale nuk paraqet rrezik fare për LDK-në e që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Gjykatën Komerciale. Për LDK-në është shumë e pranueshme mbajtja e pushtetit përmes përfshirjes së PDK-së në qeveri, së bashku me koalicionin aktual e që do t’i siguronte mandatin e plotë dhe lënien e LV-së në opozitë për aq kohë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme do t’i pranonte aq sa një i sëmurë rëndë nga sytë, të kurohej me krip deti duke ia hudhur në sy!
  3. PDK-ja: Është dëmtuar dhe dridhur deri në themel nga Gjykata e Dick Martit e që kjo dridhje tektonike – politike do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Përveç se i janë dridhur themelet, me marrjen e udhëheqësve të kësaj partie, PDK-ja, si shtëpi politike ka mbetur edhe pa kulm – kokë: Është deklaruar si opozitë, por se asnjëherë nuk jemi bindur se vërtet është opozitë! Në vend të një zëri, kemi pasur kakofoni deklarimesh dhe vendimesh. Është një disponim i shprehur botërisht se bëhet pjesë e qeverisë Hoti nëse si kundërvlerë e marrin postin e presidentit apo kryeministrit. Për kryeministër, Zoti i lashtë shëndoshë, nuk e lëshon Dulla mësa e ka lëshuar Zhuj Selmani kullën e Sheremetit, pa u bërë kiameti! Në momentin kur hyni në kombinime për poste të caktuara, askush nuk beson se jeni opozitë e vendosur dhe se doni të jeni opozitë! PDK-ja duhet të jetë e prerë në deklarime dhe qëndrime; nëse është e vendosur të mbetet në opozotë atëherë nuk duhet të diskutojë asnjë post, si biletë hyrëse për qeveri. Nëse mendon se duhet të jetë pjesë e qeverisë atëherë posti i presidentit nuk i duhet asgjë sepse secili nga PDK-ja, nëse do të bëhej president, nuk do të ishte as karikaturë e Hashim Thaçit e lëre më president funksional!
  4. AAK-ja: Edhe kjo parti mund të preket nga koronavirusi i Gjykatës Speciale, por jo në atë masë sa PDK-ja. Nuk besoj se AAK-ja ka rënë në dalldi elektorale përveç, nëse nuk ka apo nuk e bën një marrëveshje parazgjedhore me LV-në dhe Albin Kurtin, me të cilën i garantohet një lundrim afatgjatë në pushtet. Në këtë rast, Ramushi mund të bëhet president sikur edhe nëse PDK-ja heq dorë nga posti i presidentit. AAK-ja ua ka zënë ngushtë të gjitha partive politike sidomos kur duhet të sigurohet prania e 80 deputetëve në sallën e Kuvendit për ta zgjedhur presidentin. AAK-ja e dëshmon më së miri se mesi i artë është më i miri dhe më i sigurti nëse përdoret në kohë të duhur, në masë të duhur, në vend të duhur dhe në mënyrë të duhur. Edhe ashtu gjërat më të mira janë në mes dhe çdo gjë sillet kah mesi; kërthiza është në mes, bota sillet rreth boshtit në mes dhe Mesi është futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve!

Një çështje që më brengos shumë është se vendimmarrja për shqiptarët dhe Kosovën, në vend se të jetë në Prishtinë apo Tiranë, tash është zhvendosur në Beograd dhe Hagë. Zhvillimet e fundit në Kosovë janë dëshmia më bindëse për këtë! Do të jetë edhe më bindëse edhe në të ardhmen, deri në shpërthimin e radhës.

Për mua nuk është aspak me rëndësi se kush fiton në zgjedhje eventuale sa është me rëndësi se kemi mbetur pa opozitë të vërtetë, pa ofertë serioze për qeverisje të mirë për faktin se thuaja të njëjtët politikanë na sillen e pështillen në Kosovë në 20 vjetët e fundit duke kënduar të njëjtën këngë: “vaj në çfarë derexhe ka rënë shteti, kur nga ne vjen pushteti…”

P.s. Të gjithë atyre që mendojnë shqip, veprojnë shqip e që e kanë dhënë edhe një kontribut të vogël për njerëzimin dhe shqiptarinë, të udhëhequr nga vullneti kuq e zi, ua uroj Festën e të gjithë shqiptarëve, Festën e Flamurit, 28 Nëntorin e Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës. Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit, Bacës Adem Demaçi, Komandantit Legjendar Adem Jashari, heronjve dhe martirëve anekënd ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët.

Gëzuar, për ditë më të mira se këto të sotmet!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, në…