A janë të gjithë kundër Albinit?

19 shtator 2023 | 16:04

Shkruar nga Fadil Lepaja

Politika rajonale ka rënë në ingranazhin e konfrontimit global dhe fuqitë e kohës nuk kanë mirëkuptim. Ballkani Perëndimor është izoluar dhe po mbahet në karantinë. Vlera kryesore nuk është më liria dhe demokracia por paqja!

Të gjithë janë shqetësuar për Kosovën; janë ngritur në këmbë i madh e i vogël, kanë rënë dakord se armiku më i madh i Kosovës është, askush tjetër përveç… Albin Kurtit.

Kurti ka mbetur vetëm, vetëm me popullin.

Populli po tregohet i matur. E si të mos jetë.  Kur bëhen të gjithë një fjale, miq dhe armiq të deridjeshëm, duhet parë me seriozitet situata.

Gjeopolitika rajonale më nuk po funksionon! “Analitika” po ‘flet jerm’. Sidoqoftë për BE duket me interes fakti se të gjithë, fillimisht vendet e BE të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, pastaj Serbia, Rusia, Shqipëria zyrtare, politika shqiptare në rajon, opozita në Kosovë, mediat, shoqëria civile … të gjithë janë dakord. Fronti anti-Kurti po merr formë.

Kuptohet, të gjithë e kanë për të mirën e Kosovës. Vetëm SHBA zyrtare ende nuk po deklarohet qartë. Është e zhgënjyer me të dy palët në dialog. Në emër të SHBA, Kurtin po e shajnë kush po do. Por, SHBA nuk merret me të shara…

Është për tu çuditur se si kaq papritmas, të gjithë po i mbrojnë interesat e Kosovës nga Albini. Kur Kosova duhej të mbrohej nga Serbia dhe serbët militantë, madje as të gjithë kosovarët nuk ishin të një fjale. Ky unitet ndoshta  duhet të gëzojë kosovarët. Të gjithë janë për liri, pavarësi, demokraci, të gjithë janë për paqe. Vetëm Albini ka mbetur kundër.

Pra, zgjidhja është afër. Kurti vetëm një individ është. Por, pse po shqetësohen të gjithë, edhe miqtë edhe armiqtë! Ndoshta bota nuk funksionon më si më parë. Nuk ka më as miq e as armiq.

E çfarë i duhen armiqtë Kosovës …kur tashmë të gjithë u bëmë miq? Mjafton Kurti të jetë kundër për të funksionuar skema.

Përpara “epokës” së Kurtit, kushdo që pajtohej me Serbinë dhe kundërshtonte Kosovën, në njëfarë mënyre …  ishte kundër Kosovës, por, tani nuk funksionon më kështu.

Presidenti i Serbisë është bërë i preferuari i Evropës. Evropa, ose ajo pjesë e Evropës, e cila ende nuk e ka njohur Kosovën, kryeson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve. Duan ta normalizojnë njëherë asociacionin, pastaj të tjerat me radhë, nëse do dhe kur të dojë Serbia.

E Aleksandri, pasi e nxori nga loja Edin, tani pret të nxjerrë edhe Kurtin. E zuri karrigen e Ramës dhe po e bën avokatin e BE? Po e mbron Evropën nga Kurti? Lëre fare…

Përndryshe, Edi Rama për herë të parë u deklarua qartë se nuk është më me Aleksandrin. Pas “divorcit” politik me të, me rastin e mbylljes së projektit të “Ballkanit të Hapur”, ata sikur nuk flasin më mes veti. “Nëse gjërat shkojnë keq,” tha ai… “Ne jemi me Kosovën”. E si mund të shkojnë keq kur tani të gjithë janë për paqe?  Po parashikon luftë, Edi?

Por, Aleksandri tani nuk do luftë. Ai është për paqe dhe për tërheqje të Kosovës…nga Kosova. Më saktë, nga veriu. Kështu sipas tij mund të normalizohet situata. Nëse nuk tërhiqet, Kurti kërkon luftë dhe atëherë Serbisë nuk i mbetet asnjë mundësi tjetër përveç luftës. Do të bëhet keq? Grackë tipike serbe: nuk njohin konceptin e lirisë dhe pavarësisë. Më tepër preferojnë paqen. Do të tërhiqet Kurti? Çfarë do bëjë Rama?

Është e qartë se politika rajonale ka ra në ingranazhin e konfrontimit global dhe fuqitë e kohës nuk kanë mirëkuptim as kohë për lagjet politike. Ballkani Perëndimor është izoluar dhe po mbahet në karantinë. Vlera kryesore nuk është më liria dhe demokracia por paqja! Serbia aktualisht nuk përbën kërcënim për luftë por as nuk po lejohet të jetë transmision i Rusisë në rajon.

Pas thyerjes së projektit serbo-rus të Ballkanit të Hapur, tani riardhja në Procesin e Berlinit, e riktheu presidentin serb si faktor dominues në rajon.

Rama ishte faktor rajonal vetëm derisa premtonte për ta bashkuar faktorin politik shqiptar rreth “Ballkanit të Hapur”. Me rënien e projektit, ra edhe roli i Ramës. Rolin e bashkuesit të shqiptarëve e mori Kurti pas vizitës në Maqedoninë e Veriut dhe duke lëvizur politikisht edhe në pjesët e tjera të rajonit. Do të ndalet Kurti? Do luftë?

Hë për hë, nuk është kohë e mbylljes së projekteve. Përkundër orkestrimit është e qartë se nuk janë bashkuar të gjithë me frontin kundër Kurtit. Mungojnë SHBA-ja zyrtare dhe BE (pjesa që e ka njohur Kosovën). Letrat dhe hartat janë shpalosur tashmë.

Opozita në Kosovë ankohet se i ktheu të gjithë kundër Kosovës. Po përse nuk e arritën marrëveshjen derisa të gjithë ishin me Kosovën? Apo e arritën, atë të cilën Gjykata Kushtetuese dhe SHBA nuk duan të zbatohet? As Kurti!

(Marrë nga Pamfleti).

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata e Tenisit eGrave (WTA) nisi të hënën turneun e…