A ka pasur probleme me Lushtakët? Flet polici i lënduar, Enver Smakiqi

05 korrik 2022 | 11:46

Të shtunën në Skenderaj gjatë orarit të punës, polici Enver Smakiqi është lënduar nga familjarë të ish-nënkryetarit të kësaj komune, Nuredin Lushtakut. Ai ka folur për “Insajderin”, mirëpo nuk është lëshuar shumë në komente, por ka thënë se gjendja e tij shëndetësore është e mirë.

Përkundër zërave se ai ka pasur telashe në të kaluarën me familjen Lushtaku, Smakiqi e ka mohuar se ka ose ka pasur ndonjë herë problem me Lushtakët.

“Më mirë jam. Unë as nuk kam pasur as nuk kam kurgjo me familjen Lushtaku. Kam qenë duke e kryer punën zyrtare sen nuk kam pasur as skam kurgjo”, ka deklaruar ai për Insajderin.

I pyetur për detaje tjera se nga kush është lënduar ose nëse është lëshuar nga spitali, Smakiqi ka refuzuar të jap përgjigje duke thënë: “Ju kërkojë falje, janë organet të cilat mund të ju informojnë”.

Ditë më parë ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, e ka akuzuar policin Smakiqi për maltretim ndaj djalit të tij, Arbërit.

“Polici Enver Smakiqi pasi ka shqiptuar një gjobë ka vazhduar duke maltretuar fizikisht djalin tim Arberin. Unë kam qenë duke u kthyer në shtëpi me dy vëllezërit e mi dhe e kam parë djalin me veturë ndalur, ku jemi ndalur të shikojmë se çka është problemi, por sjelljet e policit Enver Smakiqi kanë qenë jashtëzakonisht jo normale dhe të dhunshme”, ka deklaruar Lushtaku.

Nga Sindikata e Policisë së Kosovës kanë thënë se Enver Smakiqi e ka pasur kokën e lidhur me fasha dhe se ka marrë pesë lëndime.

“Ka qenë një gjendje jashtëzakonisht stresuese dhe kokën e ka pas të lidhur me fasha, sipas tij i ka 5-6 lëndime dhe në secilin lëndim ka qepje”, ka thënë kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një video podcast kancelari Olaf Scholz tha se rritja…