
A po i futë gjithë fqinjët e Kosovës në luftë kundër shqiptarëve Serbia?
Shkruan: Gurakuq Kuçi
Në Mal të Zi në Kollashin është vizatuar një grafit me mbishkrimin “kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Ndërsa në Budva po ashtu janë fotografuar grafite me mbishkrimet si “Kosova është Serbi” dhe “Sepse kush bie (vdes) për Kosovën, ai kurrë nuk do të vdesë!”
Para disa ditësh në një ndeshje basketbolli për Kupën e Botës 2027 në Kumanovë u dëgjuan thirrje kundër shqiptarëve si: “Një shqiptar i mirë është një shqiptar i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”.
Këto nuk janë “episodike”. Ato funksionojnë si amplifikatorë të një fushate hibride: grafite, banderola dhe kore në sport për të normalizuar diskursin anti-shqiptar dhe për të eksportuar presionin politik të Beogradit te fqinjët. Kjo ndodh pikërisht kur regjimi i Vuçiqit është nën trysni nga protesta të brendshme dhe retorikë konspirative kundër Perëndimit.
Pra, Serbia po përpiqet ta shndërrojë anti-shqiptarizmin në “qëndrim rajonal” për izolimin strategjik të shqiptarëve. Kjo duhet adresuar si kërcënim i qëllimshëm për rendin publik dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Këto akte të luftës hibride nuk janë thjesht provokime lokale, ato janë sinjale paralajmëruese të një strategjie të qëllimshme për destabilizim rajonal.
Është imperative që institucionet shtetërore në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri të reagojnë me unitet dhe vendosmëri, duke koordinuar kundërpërgjigje të qarta dhe të matshme.
Po aq kritike është që NATO, BE, SHBA dhe Britania e Madhe të mos mbeten në nivel deklaratash, por të ndërmarrin masa të prekshme politike, diplomatike dhe sanksionuese për të ndalur skenarët e orkestruar nga regjimi autokrat i Vuçiçit.
Çdo vonesë i jep hapësirë Beogradit për të testuar kufijtë dhe për të importuar krizën nga Serbia në gjithë Ballkanin Perëndimor.