A po i skadon mandati Gjykatës Speciale?

25 nëntor 14:33

Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, mandati pesë-vjeçar i këtij institucioni do të skadojë vitin e ardhshëm (më 2020).

Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmëroj për këtë institucionet e Kosovës, gjë që konfirmohet edhe në vet këtë gjykatë.

Në kuadër të këtij institucioni, ndonëse intervistimet janë gjithnjë e më të shpeshta, ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë.

Nga organizatat e veteranëve të luftës tashmë kanë nisur thirrjet për institucionet e ardhshme të Kosovës që të refuzojnë të vazhdojnë mandatin e kësaj gjykate, para së gjithash, për shkak se e konsiderojnë të njëanshme dhe siç thonë, ajo do të gjykojë vetëm një bashkësi etnike, ndërkohë që, sipas tyre, krimet serbe në Kosovë do të mbeten të padënuara.

Njohësit e Kushtetutës së Kosovës theksojnë që vetëm një amendament i ri kushtetues mund t’ia vazhdojë mandatin gjykatës, ndërkaq që udhëheqësit politikë po paralajmërojnë që kjo çështje do të jetë temë e diskutimit në legjislaturën e ardhshme, në Kuvendin e Kosovës.

Nga Gjykata kanë theksuar se për vazhdimin e mandatit nuk nevojiten kurrfarë hapash.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është pretenduesi kryesor për kryeministër të Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thekson që qeveria e re dhe ai si kryeministër, lidhur me këtë çështje do të shtrojnë dy diskutime.

“Njërin (diskutim) parlamentar në Kuvendin e Republikës, mbi Gjykatën Speciale, e cila ka shpenzuar më shumë se 100 milionë euro të taksapaguesve evropianë dhe nuk ka ngritur asnjë aktakuzë e lëre më të shpie deri në fund ndonjë proces. Dhe në anën tjetër, një diskutim me Brukselin mbi këtë ngrehinë të pazakonshme të drejtësisë. Prej këtyre diskutimeve, duhet të marrim vendimin meritor në vitin e ardhshëm”, tha Kurti.

Kurti, subjekti politik i të cilit në vitin 2015 ka votuar kundër ndryshimeve kushtetuese për formimin e kësaj gjykate, përkujton se që nga fillimi ka qenë skeptik lidhur me drejtësinë që mund të arrihet në atë gjykatë. Ai ka shtuar që, në vend të gjykatave speciale, Kosovës i nevojiten “gjykata normale, procese normale dhe drejtësi normale, por edhe që kriminelët e luftës dhe të paqes të jenë në burg”.

“Me funksionimin e gjykatave normale, ne do ta bëjmë gjithnjë e më të panevojshme Gjykatën Speciale, e cila, ndonëse është gjykata më e re për Kosovën, ajo nuk është e re, sepse së shpejti bëhen 4 vjet e gjysmë të amandamentimit të Kushtetutës tonë për t’i bërë vend kësaj Gjykate Speciale, e cila me një këmbë është brenda vendit dhe me një këmbë është jashtë vendit. Rrjedhimisht, ajo është gjykatë ‘sui generis’ që mbase nuk do t’ia arrijë të mbrojë dot veten e saj në Strasburg, një ditë”, tha Kurti.

Lidhur me çështjen e mandatit të Gjykatës Speciale, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë ndonjë koment nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën Kurti është duke biseduar për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Megjithatë, nga kjo parti, pas njërit prej takimeve që kanë zhvilluar me Lëvizjen Vetëvendosje në ditët e fundit, kanë theksuar që mbështesin vazhdimin e punës së Gjykatës Speciale.

Ndërkaq, Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, thotë që ashtu siç e parasheh ligji (për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së), i cili është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, mandati i gjykatës do të vazhdohet derisa Këshilli i Bashkimit të mos e informojë Kosovën se të gjitha hetimet dhe të gjitha proceset në kuadër të Dhomave të Specializuara kanë përfunduar.

“Prandaj, për vazhdimin e mandatit, nuk janë të nevojshme formalitetet ose veprimet specifike”, tha Griep.

Dhomat e Specializuara në Hagë, në një mënyrë të vogël, janë një replikë ndaj sistemit gjyqësor të Kosovës. Ato janë themeluar në kuadër të secilit nivel të sistemit gjyqësor të Kosovës, që nga Gjykata Themelore e deri te Gjykata Kushtetuese dhe e punëson vetëm stafin ndërkombëtar.

Ato financohen kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe janë formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare. Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politik, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty.

Ky institucion gjyqësor ka mandat për krimet e pretenduara ndaj njerëzimit, për krimet e luftës dhe veprat tjera penale që ndërlidhen me pretendimet nga raporti i Dick Martyt, e të cilat pretendohet që janë kryer në periudhën prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Në kuadër të gjykatës ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë, ndërkaq që hetimet edhe më tej janë duke u zhvilluar.

Mandati pesë-vjeçar përmendet në amendamentin kushtetues numër 24, në bazë të së cilit edhe është formuar gjykata. Kushtetuta e Kosovës është akti më i lartë juridik i shtetit, ndërkaq që ligjet dhe aktet e tjera juridike duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën.

Paragrafi i 13-të i këtij amendamenti thekson që “mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do zgjasë në periudhën prej 5 vjetësh, përveç nëse lajmërimi për përfundimin e mandatit bëhet më herët, në përputhje me Ligjin numër 04/ L- 274”. Paragrafi pasues thekson që në mungesë të njoftimit për përfundim të mandatit, mandati do të vazhdojë deri në njoftimin për përfundim të mandatit, që do të publikohet në përputhje me të njëjtin ligj dhe në konsultim me Qeverinë.

Njoftimi për ndërprerjen e punës nuk ka ndodhur, për shkak se gjykata është në fillet e saj , ndërkaq që ligji për të cilin bëhet fjalë, ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, e në të cilin thuhet që puna e këtij institucioni “do të vazhdojë deri në momentin kur Kosova të marrë njoftimin nga Këshilli i Bashkimit Evropian që hetimi ka përfunduar dhe se të gjitha procedurat e Këshillit Gjyqësor që burojnë nga ato hetime, kanë përfunduar.

Avokati nga Kosova, Dastid Pallaska, ish-këshilltar i jashtëm për themelimin dhe funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese, thotë që amendamenti kushtetues, në bazë të së cilit është themeluar Gjykata Speciale me seli në Hagë, parashikon në mënyrë të qartë që mandati maksimal i këtij institucioni është 5 vjet.

“Dispozitat tjera që janë të përfshira në këtë amendament, përderisa krijojnë një huti në lidhje me kuptimin e tyre dhe bëjnë referenca në ligjet tjera, duke përfshirë edhe marrëveshjen ndërkombëtare, me të cilën ka filluar procesi i themelimit të kësaj gjykate, këto dispozita në asnjë mënyrë nuk e nënvlerësojnë apo nuk kanë ndonjë ndikim tjetër në qartësinë e kohëzgjatjes maksimale të këtyre institucioneve”, tha Pallaska.

Siç theksoi ai, gabime të caktuara referente në vet amendamentin, por edhe dykuptimësitë, është e mundur që të jenë pasoja të përpjekjes së bashkësisë ndërkombëtare që në një mënyrë të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave të deputetëve, e të cilët mund të jenë objekt hetimi i këtyre institucioneve.

“Mendimi im është që ka qenë një lloj i nxitjes që është vendosur për personat që kanë pasur mbase konflikt të drejtpërdrejtë të interesit me këtë amendament dhe të cilët janë bindur për ta votuar amendamentin pikërisht nën premtimin se kohëzgjatja e këtyre institucioneve do të jetë vetëm 5 vjet. Pra, që nuk do ta kalojnë tërë jetën e tyre duke u marrë me këtë gjykatë, ashtu siç me siguri do të jetë rasti për shumicën e njerëzve që do të ballafaqohen me këtë gjykatë e që janë mbi moshën 45 apo 50-vjeçare, sa mund të jetë edhe mosha mesatare e subjekteve që janë duke u hetuar”, tha Pallaska.

Në Kosovë, ka pasur mjaft kundërshtime ndaj formimit të kësaj gjykate, marrë parasysh që ajo merret vetëm me pretendimet nga raporti i Dick Martyt dhe në të cilin nuk përmenden edhe krimet serbe në Kosovë.

Veteranët e UÇK-së në disa raste kanë protestuar, ndërkaq që në fund të vitit 2017, në Kuvendin e Kosovës është tentuar pasuksesshëm anulimi i kësaj gjykate, ndaj të cilit tentim ka reaguar ashpër bashkësia ndërkombëtare.

Kundërshtime ka pasur edhe në vitin 2015 kur Kuvendi i Kosovës, në tentimin e dytë, ka miratuar amendamentin kushtetues dhe legjislacionin për funksionalizimin e këtij institucioni gjyqësor.

Siç kishte deklaruar atëherë zëvendëskryeministri, sot president i Kosovës, Hashim Thaçi, formimi i gjykatës ka qenë i nevojshëm për “të pastruar luftën tonë dhe për të dëshmuar se nuk fshehim asgjë , por edhe për të ruajtur aleatët historik dhe strategjik, SHBA-në, BE-në dhe NATO-n”.

Siç pati thënë ai atëherë, për Kosovën ekziston mundësia që ta formojë gjykatën për periudhën kohore prej tre deri pesë vjet, sepse në të kundërtën kjo çështje do të bartej në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili do ta formonte gjykatën për 15 ose 20 vjet.

Në presidencën e Kosovës nuk kanë dashur që ta komentojnë çështjen e mandatit të gjykatës.

Avokati Pallaska thekson që është naive që për institucionet e tilla të caktohen kufizime kohore të mandatit, për shkak se puna e tyre përfundon atëherë kur të kryhen të gjitha lëndët që janë para tyre.

“Të gjithë ata që kanë përvojë në drejtësi, e dinë që përderisa për një procedurë të thjeshtë vendore mund të kërkohet ndonjëherë për të shteruar të gjitha mjetet juridike deri në pesë, shtatë e në Kosovë deri në 10 vjet, për një gjykatë të një karakteri të tillë, siç ka vërtetuar edhe Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavi, nevojiten 20 vjet ose 30 vjet”, u shpreh Pallaska.

Ai shtoi që vazhdimi i mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar mund të bëhet i mundur vetëm me ndryshimet e reja kushtetuese, të cilat kërkojnë dy të tretat e votave të shumicës shqiptare, por edhe të deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë në Kosovë.

Ai gjithashtu thekson që çështjet që ndërlidhen me këtë amendament kushtetues mund të parashtrohen vetëm para panelit kushtetues të Dhomave të Specializuara në Hagë, i cili edhe mund të jetë i prirur që të vendosë në favor të vazhdimit të mandatit.

Në kuadër të prokurorisë në Hagë, që nga janari i këtij viti po vazhdojnë intervistimet e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë në cilësinë e të dyshuarve, qoftë në cilësinë e dëshmitarëve. Katër vjet pas themelimit të këtyre Dhomave, ende nuk ka ndonjë aktakuzë.

Deri më tash, për t’u intervistuar janë ftuar kryeministri aktual në detyrë, Ramush Haradinaj, si dhe ish-udhëheqësit tjerë të UÇK-së, Azem Syla, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Shukri Buja. Në fillim të dhjetorit për intervistim është ftuar edhe Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Droja nga frikësimi i dëshmitarëve është një nga arsyet se pse Dhomat e Specializuara kanë selinë në Hagë dhe jo në Kosovë. /REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Dua Lipa, ishte mbrëmë…