
A po jep asfalti tash për të ngrënë apo jo?
Shkruan: Agron Hoti
Kosova ishte e robëruar nga Serbia mbi 100 vite. Ishte vendi më i varfër dhe më i izoluar në ish-Jugosllavi dhe në Evropë. Vdisnin foshnjet rrugës se s’kishte rrugë për t’i çuar te mjeku. Distancat nga një vendbanim në tjetrin merrnin orë të kaloheshin. Ishte tmerr. Ndërsa në vitin 1999 Kosova u bë e tëra shkrumb e hi.
Pas çlirimit ishte Hashim Thaçi me shokë që filluan ndërtimin, përfshirë asfaltizimin e Kosovës, pra atë që Serbia me qëllim s’e bënte. Kombet zhvillohen përmes infrastrukturës. Kosova filloi t’i çelë sytë. Filloi edhe me autostrada më shpejtë sesa çdo shtet në Evropë dhe jo vetëm. Bënte atë që mundte, sepse thesi ishte i shkyer në të gjitha anët, ndaj duhej qepur aty ku mundej.
Ndërsa kundërshtarët politikë, në vend që ta lavdëronin daljen nga balta shekullore, s’linin gurë pa lëvizur duke i poshtëruar ato projekte dhe duke thënë “asfalti s’jep gjë për të ngrënë.” Bile kishte të tillë që në linjë me Serbinë të tërën e quanin “shkatërrim.”
Ndërkohë, secili që erdhi pas Hashim Thaçit e përpiu atë që pështyu. S’ngeli asnjë qershi. Secili bëri yrysh si pa kokë pas asfaltit. Shpejtë harroi ç’kishte thënë më parë. Edhe këta të sotit po duan të bëhen copa pas asfaltit, harruan se si e shanin Hashim Thaçin me shokë. E sa për capcarraphane (hajni), të gjithë e bënë dhe po vazhdojnë ta bëjnë bile me ritme edhe më të larta.
E nëse asfaltizimi po vazhdon edhe sot, a s’guxojmë ta shtrojmë tash pyetjen: “a po jep asfalti tash gjë për të ngrënë apo jo?” Turpi s’e mbuluaka askë!