AAK shpresat te Supremja, nesër merret vendimi për Istogun

26 dhjetor 21:19

Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i ka refuzuar të shtunën Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ankesën lidhur me rezultatet e zgjedhjeve për kryetar të Istogut.

Refuzimin nuk e ka pritur kjo parti, e cila ka shkuar një shkallë më tutje, duke u ankuar në Gjykatën Supreme.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Valon Tolaj ka bërë të ditur se në shenjë pakënaqësie me rezultatet e zgjedhjeve për Istog, të dielën janë ankuar në Supreme.

Ai në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se presin që nesër të marrin përgjigje për ankesën e bërë të dielën.

“AAK ka bërë ankesë pranë Gjykatës Supreme. Presim që sipas afatit ligjor, Supremja të konfirmoj shkeljet ligjore në procesin zgjedhor në Istog. Kush ka të drejt të votoj në Republikën e Kosovës e përcakton vetëm Kushtetuta dhe në asnjë rrethanë nuk vendoset nga KQZ apo PZAP ashtu siç po tentohet deri më tani. Nesër do të marrim përgjigje dhe vendimi do të jetë edhe për publikun në momentin që vjen zyrtarisht në AAK”, ka thënë Tolaj.

Ai madje nuk ka përjashtuar mundësinë që të vazhdohet me ankesa në të gjitha shkallët e drejtësisë, deri në Gjykatën Kushtetuese.

Kujtojmë se në zgjedhjet lokale për kryetar të Istogut, qytetarët u drejtuan tri herë nga kutitë e votimit për të zgjedhur të parin e tyre.

Kandidatë për kryetar që shkuan në balotazh ishin Gani Dreshaj i AAK-së dhe Haki Rugova i LDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndër 43 deputetët që nënshkruan për shfuqizimin e Gjykatës Speciale,…