Abazoviq: Jam i gatshëm për qeveri teknike

19 gusht 00:18

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se është i gatshëm ta formojë një qeveri teknike. Këtë deklaratë Abazoviq e ka dhënë një ditë para se të shkojë në Kuvendin e Malit të Zi mocioni i votëbesimit kundër tij.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në një prononcim për televizionin malazez, Adria ka thënë se është i gatshëm ta formojë një qeveri teknike.

Abazoviq, ka thënë se votimi pro mocionit të mosbesimit kundër tij, është legjitim por njëkohësisht edhe i çuditshëm.

“Nëse kjo ndodh, nuk do ta konsideroj si diçka jo legjitime nga përfaqësuesit e tyre. Megjithatë, mendoj se do të ishte paksa e çuditshme, veçanërisht nëse do të vinte si reagim ndaj nënshkrimit të Marrëveshjes Themeltare”.

Abazoviq,  tha se nuk po ikë nga zgjedhjet, por po i pret me padurim dhe thekson se qeveria e pakicës me të si kryeministër ishte emëruar maksimumi për një vit dhe jo më shumë.

“Ne nuk po ikim nga zgjedhjet – mezi presim zgjedhjet. Në zgjedhje qytetarët e Malit të Zi duhet të legjitimojnë një shumicë të re dhe një qeveri që shpresojmë se do të funksionojë për katër vjet”, tha Abazoviq.

Ai theksoi se nuk sheh ndonjë problem rindërtimin e qeverisë dhe se është i gatshëm që të ulet dhe të diskutojë për një qeveri teknike dhe për zgjedhjet e ardhshme.

“Pra, kjo vlen nëse qeveria nuk bie dhe ne jemi gati, nuk duhet të presim as të hënën, mund të ulemi të shtunën dhe të shohim se si mund të bëjmë shumicën që mund ta çojë vendin drejt procesit zgjedhor. Kjo do të thoshte se do të krijohej një qeveri teknike që nuk do të kishte program përpos detyrën kryesore, zhvillimin e zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Të premten e 19 gushtit, Kuvendi i Malit të Zi do të diskutojë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Dritan Abazoviq.

Kjo nismë për thirrjen e mocionit është e Partisë Demokratike Socialiste(PDS) të presidentit Millo Gjukanoviq, mbështetur nga pesë parti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia rrugore në Prizren, ka gjobitur me 500 euro dhe…