Abdixhiku dhe ambasadori i Francës diskutojnë për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur të premten në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
Gjatë takimit, ata kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe qëndrimet e LDK-së karshi këtyre proceseve, me theks të veçantë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Guerot për përgatitjet e intensifikuara të LDK-së për zgjedhjet nacionale, duke theksuar mobilizimin e plotë të strukturave në nivel vendi. Ai tha po ashtu se LDK-ja është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për zgjedhjet nacionale, duke finalizuar listën për deputetë me figura të dëshmuara profesionale, të reja e integruese, të cilat vijnë me vizion të qartë për zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit të së drejtës dhe modernizimin e vendit. Ai potencoi se LDK-ja po paraqet para qytetarëve një ekip të përgjegjshëm dhe të përkushtuar, që reflekton seriozitet, punë dhe përvojë; pra një listë që synon t’i japë vendit institucione stabile dhe një qeverisje zhvillimore, në shërbim të qytetarëve”, thuhet ka njoftuar LDK-ja.
Sipas këtij njoftimi, Abdixhiku ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset shtetformuese dhe zhvillimore.
Ai ka nënvizuar se mbështetja franceze mbetet thelbësore për avancimin e aspiratave të Kosovës drejt zhvillimit, stabilitetit dhe integrimit të plotë evropian.




