Veprimtarja Gosalci: Ahmet Qeriqi, model guximi dhe frymëzimi
Veprimtarja e çështjes kombëtare, Shefqete Gosalci, ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar atdhetarit Ahmet Qeriqi me rastin e njëvjetorit të vdekjes së tij.
Në këtë akademi janë përuruar dy romane të Qeriqit, të cilat i kishte pasur në dorëshkrim.
Me këtë rast, Gosalci, ka thënë se Ahmet Qeriqi mbetet figurë e shquar atdhetare dhe shumë dimensonale.
“Përkujtohet atdhetari Ahmet Qeriqi. Dje më 7 mars 2026, në njëvjetorin e shkuarjes në amshim, u përkujtua atdhetari, profesori, ideologu, ushtari i UÇK-së, shkrimtari, dhe drejtori i ‘Radios së luftës Kosova e Lirë’, mendjendrituri Ahmet Qeriqi. Veprimtaria shumëdimensionale, sakrifica dhe vuajtjet e madhe nëpër burgjet e Serbisë, përpjekja për ta ruajtur dhe lartësuar gjuhën, kulturën dhe kontributi i madh për kombin, Ahmet Qeriqin e bën ndër personalitetet më të shquara të kombit shqiptar. Model guximi dhe frymëzimi.
Me këtë rast u përuruan edhe dy romane të tij mbetur në dorëshkrim. Fatkeqësisht institucionet tona shtetërore ende nuk kanë arritur t’i japin vlerësimin për meritat e tij.
Ahmet Qeriqi ishte dhe mbeti institucion në vete. Vepra e tij mbetet frymëzim për brezat. Qoftë i përjetshëm emri dhe vepra e Ahmet Qeriqit. Respekt për familjen Qeriqi. Shpirti i pushoftë në dritë!”, ka shkruar Gosalci në “Facebook“.



