Abdixhiku: Kosova ka nevojë për një mendim të guximshëm dhe të qartë
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur takimin e parë konsultues me opinionistë e gazetarë, si pjesë e iniciativës së tij për debat të gjerë nacional mbi gjendjen dramatike në vend.
“Vlerësojmë dhe çmojmë secilin mendim, në veçanti të atyre që këto mendime i bëjnë publike – edhe kur pajtohemi, edhe kur nuk pajtohemi me to. Vlerësojmë, mbi të gjitha, që Kosova ka nevojë për një mendim të guximshëm dhe të qartë, që rrugëtimin tonë euroatlantik e kthen në binarë”.
“Këtë mendim duhet ta ndërtojmë sot, në çdo pozicion tonin, partiak apo jopartiak pa dallim; dhe këtij mendimi duhet t’i kontribuojnë të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Ai ka theksuar se mes një diskutimi të hapur e shumë përmbajtësor, dëgjuan të gjitha pikëpamjet e pjesëmarrësve mbi gjendjen aktuale politike në vend.
“Diskutuam, trajtuam, morëm sugjerime, ide e komente dhe mbi propozimin tonë e mbi rrugën politike që të gjithë duhet ta ndërtojmë. Falënderoj gjithë pjesëmarrësit për përgjigje pozitive në ftesën tonë. E vlerësojmë si kontribut. E çmojmë secilin mendim. Do të vazhdojmë të takojmë e të flasim me secilin akter të Kosovës”.
“Jemi në përpjekje të vazhdueshme për ndërtimin e një mendimi veprues, që ballafaqon theqafjen nacionale tek e cila jemi futur tash e një kohë të gjatë. Rruga jonë, e së ardhmes, zhvillimit, e një Kosove njëmendtë sovrane, e barabartë mes kombeve euroatlantike, është rrugë e paalternativë. Jam i bindur se shoqëria kosovare, populli i Kosovës, ka mjaftueshëm masë kritike ta ndërtoj këtë rrugë”, ka deklaruar Abdixhiku.