Abdixhiku: Qeverisja e LDK-së do ta rrit numrin e inspektorëve të punës nga 40 në 400

19 shtator 2019 | 17:00

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka shpalosur disa nga reformat që kjo parti do t’i bëjë nëse Vjosa Osmani bëhet kryeministre.

Ai ka thënë se në sektorin privat punëtorët janë të diskriminuar, duke u detyruar të punojnë më shumë se 8 orë në ditë, pra punë me orar të zgjatur dhe pa kompensim.

Sipas Abdixhikut, rezultat më i mirë edhe nuk është pritur kur dihet se në administratën shtetërore më shumë ka pasur zëvendësministra e këshilltarë sesa inspektorë të punës.

Ai ka thënë se administrata shtetërore ka të punësuar vetëm 40 inspektorë të punës, të cilët mbulojnë tërë territorin e Kosovës.

Abdixhiku ka shpalosur informacione të programit të LDK-së të cilat synojnë të adresojnë këto padrejtësi në sektorin privat.

Ndër veprimet e menjëhershme, sipas tij do të jenë dhjetëfishimi i numrit të inspektorëve, nga 40 në mbi 400 inspektorë.

Sipas Abdixhikut, inspektimi i vazhdueshëm i sektorëve senzitiv, siç janë shërbimet, ndërtimtaria, siguria e fusha të ngjashme do të kenë vëmendje më të madhe të shtetit.

Ai ka thënë se në këta sektorë ekzistojnë kushte tejet të rënda të punës si dhe ka mungesë të kompensimit të orëve shtesë, orëve të ndërrimit të tretë, mungesë të kushteve të sigurisë në vendin e punës e shkelje dhe keqpërdorime të ngjashme që nuk përkojnë me të drejtat e punëtorit.

Në fund, Abdixhiku ka siguruar se Kosova në qeverisjen e LDK-së do të jetë vend i të drejtave të punëtorëve, vend i mundësive për zhvillim të drejtë të biznesit dhe vend ku do të krijohen vende pune të dinjitetshme për qytetarët e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca ka dërguar shtatë ekspertë ushtarakë për të hetuar sulmet…