Mbi 20 të dyshuar për mashtrimin e 85 grave në Norvegji, skema drejtohej nga Kosova
Policia norvegjeze është duke hetuar një rrjet të madh mashtrimi financiar, përmes të cilit dyshohet se janë mashtruar 85 gra të moshuara, me një dëm të përgjithshëm prej rreth 750 mijë eurosh. Sipas autoriteteve, personat që dyshohet se e organizonin skemën kryenin telefonatat nga Kosova.
Prokurori policor në Distriktin Policor Sør-Vest, Lars Ole Berge, ka bërë të ditur se deri më tani janë identifikuar 85 raste, ndërsa policia beson se numri i viktimave mund të kalojë 100.
Hetimet kanë nisur më 18 dhjetor të vitit të kaluar, pas denoncimit të një gruaje në të pesëdhjetat. Sipas policisë, viktimat kontaktoheshin përmes telefonatave dhe mesazheve, nga persona që prezantoheshin si punonjës bankash dhe pretendonin se do t’i ndihmonin të mbronin llogaritë e tyre nga keqpërdorimet.
Mashtruesit përdornin teknikat e njohura si “smishing” dhe “vishing”, duke u përpjekur t’i bindnin viktimat të zbulonin të dhënat personale dhe bankare ose të transferonin para. Edhe pse telefonatat dhe mesazhet vinin nga Kosova, ato shfaqeshin sikur buronin nga numra norvegjezë.
Sipas hetuesve, tre të rinj dyshohet se e drejtonin skemën nga Kosova, ndërsa mbështeteshin nga persona të tjerë në jug të Rogalandit dhe në pjesën lindore të Norvegjisë.
Në këtë rast janë nën hetime më shumë se 20 persona, kryesisht të moshës 18 deri në 24 vjeç. Disa prej tyre dyshohet se kishin rolin e ndërmjetësve financiarë, duke pranuar para në llogaritë e tyre bankare dhe më pas duke i transferuar ato në llogari të tjera ose duke ua dorëzuar personave të tjerë. Policia ka bërë të ditur se njëri nga personat që dyshohet se vepronte nga Kosova është arrestuar në aeroportin Gardermoen, gjatë një operacioni në fillim të këtij viti. Një tjetër i dyshuar me rol udhëheqës është ekstraduar më vonë në Oslo, ndërsa personi i tretë ende ndodhet i lirë jashtë vendit. Dëmi i përgjithshëm i dyshuar arrin në rreth tetë milionë korona norvegjeze, apo afërsisht 750 mijë euro. Shuma më e madhe që dyshohet se i është marrë një viktime të vetme është 853 mijë korona, rreth 80 mijë euro.
Sipas policisë, të dyshuarit kryesorë kishin bërë jetë luksoze, duke blerë mallra të shtrenjta dhe vetura sportive. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të gjurmuar paratë përmes bankave, kompanive të basteve dhe shërbimeve të kriptomonedhave, me synimin për të rikuperuar përfitimet nga aktivitetet e dyshuara kriminale.
Dy nga të dyshuarit aktualisht ndodhen në paraburgim, ndërsa gjykimi pritet të mbahet në pranverën e vitit të ardhshëm.



