Abrashi rrëfen makthin e dëmtimit dhe rikthimin

28 shkurt 2019 | 10:47

Pas fitores 5-1 kundër FC Augsburg dhe në prag të ndeshjes të shtunën ndaj Bayer Leverkusenit, ka folur mesfushori shqiptar Amir Abrashi. I rikthyer pas dëmtimit të gjatë, futbollisti i kombëtares kuqezi është rrëfyer për faqen zyrtare të klubit (scfreiburg.com).

Amir, si shpërblim për fitoren 5-1, stafi teknik ju la pushim dy ditë; përveç të dielës, edhe të hënën. Si e përdorët këtë kohë?
Abrashi: Ishte shumë mirë që pushuam këto dy ditë. Kjo nuk ndodh shpesh. Unë u ktheva në shtëpi, vizitova prindërit në Zvicër.

A u kthyet në situatë normale?
Abrashi: Sigurisht, tani jam plotësisht i qetë. Megjithatë, nuk do të zgjasë shumë. Të shtunën është ndeshja tjetër dhe natyrisht që duhet t’i rris ngarkesat përsëri.

Kundër Augsburgut e gjithë skuadra dukej përkohësisht në një gjatësi vale. Pse ndodhi kjo?
Abrashi: Ajo që kam vënë re, që para ndeshjes, ishte qetësia e të gjithë lojtarëve. Gjithkush në fushë u fokusua dhe bëri punën e vet. Prandaj, shkuam me fitoren 3-0 në pushimin mes dy pjesëve të lojës, çka ishte patjetër një avantazh i konsiderueshëm. Dhe shënuam akoma. Megjithatë, duhet të themi sinqerisht se fillimi ynë në pjesën e dytë nuk ishte aq i mirë. Nëse rezultati do të shkonte 2-3, gjithçka do të hapej përsëri.

Trajneri Christian Streich ju ka lavdëruar individualisht, pas asaj që bëtë të shtunën. Cili është përjetimi juaj, sidomos pas 11 muajve dëmtim dhe larg fushave?
Abrashi: Natyrisht, është mirë të dëgjosh vlerësime për atë që bën. Fatmirësisht, isha në gjendje të bëja ato që trajneri donte dhe më kërkoi. Jam shumë i lumtur që munda ta ndihmoj ekipin. Kjo ishte gjëja më e rëndësishme. Ne të gjithë duhet të qëndrojmë të përqendruar, sepse mund të bëjmë ende më mirë.

Keni vuajtur shumë, pothuajse një vit, për shkak të dëmtimit të rëndë të “ligamentit cruciat”. Si i keni mbijetuar kësaj faze?
Abrashi: Kjo ishte një periudhë e vështirë për mua, një ndjenjë e çuditshme. Në fillim isha disi i qetë, por pas nëntë apo dhjetë muajsh u bëra gjithnjë e më i paduruar. Çdo fundjavë ishte e njëjtë, gjithmonë isha vetëm spektator.

Derisa në kampin e trajnimit në Sotogrande, kundër Mainzit, dhe në testet e U-23 kundër FC Basel II dhe FC Saarbrücken nisët të luanit disa minuta…
Abrashi: Ishte kënaqësi e madhe vetëm që isha në gjendje ta godisja topin përsëri. Këto ndeshje testuese ishin shumë të vlefshme për mua, sepse pas tyre luajta kundër Schalkes dhe Augsburgut.

Ju nuk keni pasur vështirësi kaq të mëdha, si në këtë dëmtim të gjatë?
Abrashi: Mendërisht, isha gati prej një kohe të gjatë. Kjo është arsyeja pse ishte e qartë për mua. Sa më shpejt që trajneri të më aktivizonte, do të jepja deri në 100 për qind të mundësive të mia. Fjala “familjarizim” nuk ekziston tek unë. Ne luajmë në Bundesliga, kemi nevojë për pikë. Kjo gjë më ka kaluar në kokë të shtunën.

Përkundër rehabilitimit, ju ishit të pranishëm në ekip gjatë gjithë kohës. Sa ju ndihmoi kjo?
Abrashi: Kjo ishte një shtysë e madhe dhe, ndoshta, ndodh vetëm te Freiburgu. Unë kam bërë kaq shumë gjëra me djemtë, kam qenë në atmosferën e ndeshjeve edhe pa qenë në gjendje të luaj një rol në fushe. E çmendur, apo jo? Kjo është unike dhe ta bën më të lehtë ingranimin, pas dëmtimit.

Një nga lojërat e shumta që keni ndjekur si spektator ishte barazimi 0-0 në fazën e parë kundër Bayer Leverkusenit. Ky është kundërshtari juaj i radhës që po zhvillon një gjysmë të dytë kampionati vërtet të mirë (36 pikë, vendi i shtatë). Çfarë mund të arrini në këtë transfertë?
Abrashi: Një sfidë e fortë na pret. Leverkuseni ka shumë potencial dhe është jashtëzakonisht i shpejtë në dyluftimet një kundër një. Kjo transfertë nuk do të jetë e lehtë për ne. Do të duhet të përfitojmë nga kundërsulmi sepse Leverkuseni do të sulmojë me forca të shumta.

Cila është dëshira juaj personale për javët dhe muajt e ardhshëm?
Abrashi: Dua të gëzoj shëndet të plotë, ta përshpejtoj arritjen e formës maksimale sportive, të fitoj pikë dhe të kënaqem çdo ditë me djemtë në fushë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, 11 vjet më…