Adem Demaçi- lideri i pakontestueshëm shpirtëror i shqiptarëve në ish-Jugosllavi

25 shkurt 2020 | 15:27

Shkruan: Imer Lladrovci-

1.

Adem Demaci u lind me 26 shkurt 1936. Sivjet ne shënojmë 84 vjetorin e lindjes së tij.

Në momentin kur vdiq, në gusht të vitit 2018, ai ishte në  moshën 82 vjeç, kishte 60 vjet aktivitet politik kombëtar dhe plotë 28 vite të kaluara nëpër kazamatet jugosllave për lirinë e Kosovës dhe të tokave të tjera shqiptare nën sundimin jugosllav, duke u kthyer kështu në një prijës të pakontestueshëm shpirtëror mbarëkombëtar.

Për sakrificën e tij supreme në altarin e lirisë kombëtare është cilësuar si Mandela i Kosovës, por në fakt ai kishte bërë burgje  më shumë se lideri jugafrikan. Në Evropë ai ishte pa dyshim i burgosuri më i madh dhe më me influencë. Evropa në vitet 1990 e nderoi  me çmimin Saharov për politikën e tij inteligjente dhe humane që në themel kishte vetëflijimin pothuajse 30 vjeçar. Me një biografi të tillë politike, Demaçi nuk mund të cilësohet ndryshe veçse një martir.

Jugosllavia e Titos dhe e  pasardhësve të tij tek ai shihte njeriun më të rrezikshëm për ekzistencën e saj, kështu që në vitin 1974 arrestohet dhe dënohet për të tretën herë, edhe pse organet e shtetit jugosllav këtë herë nuk qenë në gjendje t‘ia faktonin asnjë „mëkat“, asnjë  formë të aktivitetit politik që do ta penalizonte atë. E megjithatë ai u dënua për të dytën herë me dënimin më të lartë të mundshëm: me 15 vjet burg. Deri me 21 prill të vitit 1990  Demaçi qëndroi në burg, duke u liruar në atë pranverë dramatike për krijesën e Versajit si i amnistuar nga kryetari i atëhershëm i Jugosllavisë, slloveni Drnovshek. Në këtë moment atij i kishin mbetur më pak se gjashtë muaj për të kryer dënimin drakonik prej 15 vitesh.

Adem Demaçi jashtë grilave të burgut përjetohej si një rrezik permanent me rrjedhoja fatale për shtetin e sllavëve të jugut që padrejtësisht brenda kufijve të tij kishte përfshirë pothuajse gjysmën e territorit etnik të Shqipërisë natyrale dhe mbi dy milionë shqiptarë, për të cilët Adem Demaçi u kthye në një shenjtor e apostull të vërtet lirie.

I tillë ai mbeti deri në fund të jetës së tij.

Në historinë politike të botës në shekullin XX janë të pakët personalitetet që mund të krahasohen me Demaçin në rrafshin e angazhimit për një ide dhe ideal. Për 60 vjet me radhë ai kurrë nuk iu përkul Serbisë dhe ideologjisë së saj kundër shqiptarë.

Ndonëse Demaçi për performancën e tij politike pas daljes nga burgu jo rrallë është kritikuar si një lider që në çdo rrethanë ka qëmtuar mundësitë e shmangies  së luftës së armatosur, duke iu drejtuar shumë herë serbëve si vëllezër, duke argumentuar se ata duhet të bëjnë presion mbi qeverinë e tyre që të lirohet nga barra e rëndë e Kosovës, në momentet kur rinia kosovare, në mesin e viteve 1990, ndërroi strategjinë e luftës nga rezistenca pasive paqësore në rezistencë të armatosur përmes UÇK-së, ishte Adem Demaçi ai që doli i pari publikisht në përkrahje të luftës së saj. Nëse „vëllezërit serbë“ nuk ishin në gjendje të ndërmerrnin diçka për ndryshimin e gjendjes, këtë gjë do ta bënin shqiptarët përmes formave të reja të rezistencës dhe luftës së armatosur. Në momentet më kritike ai u bë përfaqësuesi politik i saj në Prishtinë.

2.

Angazhimi politik i Adem Demaçit për çlirimin kombëtar të shqiptarëve të robëruar filloi në moshë shumë të re. Mund të thuhet se që në fëmijërinë e hershme,  qysh në shkollën fillore mund të identifikohen prirjet e tij politike atdhetare. Ai e filloi shkollën në një kohë kur Kosova ishte nën pushtimin italian, por ky pushtim solli shkollat e para shqipe dhe një valë të re e të fuqishme të ringjalljes së ndjenjës kombëtare. Mësues të shumtë nga Shqipëria londineze kishin vërshuar Kosovën dhe ata bënë një punë të madhe. Vetë Adem Demaçi është shprehur disa herë me nderimin më të madh për mësuesit e tij. Për këtë ka shumë dëshmi. Ky fakt tregon njëkohësisht se instinkti atdhetar nuk është diçka që mësohet në moshë të pjekur, por është një mekanizëm shpirtëror që fillon e krijohet në klimën familjare të refuzimit absolut të pushtimit në një moshë tepër të re. Nëna Shqipëri është e përjetshme ndryshe nga nëna biologjike, i thoshte nëna e tij birit të saj të vetëm. Me një nënë të tillë që do ta përballonte çdo vështirësi me stoicizëm ai u mësua ta dojë Shqipërinë natyrale, para së gjithash atë të jashtmen, të pushtuarën dhe të nënshtruarën, me një pasion atdhetar të pashembullt në kohën tonë. I frymëzuar nga mësuesit në shkollë për këtë dashuri dhe i frymëzuar nga nëna në shtëpi, Adem Demaçi u kthye në mësuesin dhe frymëzuesin e madh të rinisë shqiptare për Shqipërinë e bashkuar.

Në Europë Adem Demaçi është perceptuar si figura më pregnante e nacionalizmit shqiptar, jo e një nacionalizmi primitiv e agresiv ballkanik, por e një nacionalizmi mbrojtës të substancës kombëtare shqiptare, sepse shqiptarët klasifikoheshin nga organizatat që mbronin popujt si popull i rrezikuar. Me politikën e tij të pakompromis dhe, para së gjithash, me gatishmërinë e tij  personale për  çdo lloj flijimi, Adem Demaçi ishte njeriu që i duhej Kosovës në këtë udhëkryq të ri historik në fund të shekullit XX, ai ishte në fakt i vetmi njeri në Kosovë që mund të mobilizonte një masë kritike njerëzish që ishte në gjendje për  të përmbysur situatat. Dhe kjo përmbysje e madhe mund të vinte vetëm nga një krah politik, i cili jo vetëm s’e përjashtonte luftën e armatosur, por atë e nxirrte në plan të parë. Një politikë pa krahun e saj të armatosur në rrethanat e atëhershme në Kosovë, kur Serbia kishte koncentruar forca të mëdha ushtarake dhe teknikë të madhe lufte në Kosovë, ishte një faktor që shpërfillej e manipulohej lehtësisht nga Beogradi. Atë krah të politikës që përfshinte në strategjinë e çlirimit nga Serbia edhe luftën e armatosur si përbërës themelor më së miri e përfaqësonte Adem Demaçi. Në fund të fundit dhe paraqitja e UÇK-së lidhet direkt me politikën e tij dhe pakënaqësinë me vendimet e Konferencës së  Dejtonit që solli një zgjidhje që e favorizoi elementin serb në Bosnje e Hercegovinë dhe e shpërfilli plotësisht faktorin shqiptar në Kosovë. Me këtë konferencë mori fund përfundimisht politika e iluzioneve pacifiste që çlirimin e Kosovës e kishte definuar si një proces ekskluzivisht politik, duke e përjashtuar në mënyrë decidive luftën e armatosur si elementin më qenësor në rrugën e vështirë të çlirimit të Kosovës nga Serbia.

Në dhjetor të vitit 1995 u nënshkrua Marrëveshja e Dejtonit në Ohajo të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga boshnjakët, kroatët e serbët si palë ndërluftuese e Serbisë e Kroacisë si garantues të saj në një anë dhe, në anën tjetër, nga  fuqitë e mëdha që kërkonin t’i jepnin fund luftës së përgjakshme në Bosnjë, një marrëveshje kjo që nuk i solli qetësi për asnjë ditë të vetme deri më tani shtetit të ri të konfederuar të Bosnjës dhe Hercegovinës. Edhe sot ky shtet përjeton kriza permanente ekzistenciale dhe mund të thuhet me plotë gojën se BeH është një shtet që pa dritën e jetës me vese të lindura, me të meta kongjenitale që u dizajnuan në Dejton në vitin 1995.  Viteve të fund gjithnjë e më tepër po shtohen zërat në Perëndim që e kërkojnë një Dejton II.

Po me Kosovën ç’u bë? Ajo s‘u përmend fare në këtë konferencë, sepse kështu kishte kërkuar Sllobodan Millosheviqi, i cili,  duke qenë se me nënshkrimin e tij në këtë marrëveshje i kishte siguruar asaj validitet, kujtoi se kështu përfundimisht do ta nxirrte Kosovën, këtë vatër neuralgjike të Ballkanit,  nga rendi i ditës së politikës ndërkombëtare që merrej me zgjidhjen e krizave të mprehta politike në botë. Dhe ky synim ogurzi i kasapit albanofag të Ballkanit  vërtet do të kthehej në një fakt të kryer e të  dhembshëm historik, sikur  në Kosovë me UÇK-në nuk do të kishte ndryshuar kursi i  politikës pacifiste, e cila e përmbysi situatën që me aksionet e para largvajtëse të 26 prillit të viti 1996. Vetëm katër muaj pas Konferencës së Dejtonit historia e re e shqiptarëve mori një kthesë të fortë e  të papritur që tre vite më vonë do të çonte në bombardimin e Jugosllavisë së Millosheviçit dhe çlirimin definitiv të Kosovës nga soldateska serbe.

Siç e thamë më sipër, Adem Demaçi u bë përfaqësuesi i parë politik i UÇK-së në një kohë që asnjë politikan e intelektual shqiptar në Kosovë nuk kishte guxim madje as ta shqiptonte këtë akronim. Kishte vite që Demaçi e kishte kërcënuar Beogradin me opcionin e kryengritjes së armatosur, por ishte shpërfillur jo vetëm nga gjakpirësi serb që kishte në dispozicion një ushtri të fuqishme, por edhe nga faktori ndërkombëtar që hapur ishte shprehur i kënaqur me një zgjidhje minimal për Kosovën si autonomi politike  krahinore. Në këtë moment historik paraqitet në skenën politike edhe një herë në mënyrë madhështore Adem Demaçi si përkrahës i guximshëm i UÇK-së që përbënte një alternativë e domosdoshme e përpjekjeve të shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës.

Ai për asnjë moment nuk ngurroi dhe as u tremb në mbrojtjen politike që i bëri në këto momente delikate krijesës së re që quhej UÇK. Ne nuk do ta dimë kurrë saktësisht se çfarë do të kishte ndodhur me të, nëse ajo nuk do të kishte gjetur një njeri të përmasave të Adem Demaçit që e mbrojti atë,  UÇK-në, si një faktor vendimtar  në Kosovën e shkelur dhe të nënshtruar, por është më se e sigurt që UÇK-ja pa një zë të fuqishëm si Adem Demaçi do ta kishte pasur shumë vështirë në një ambient të tillë si shoqëria kosovare e kohës që ishte përshkuar thellësisht nga iluzionet për një ndërhyrje nga jashtë pa radikalizimin e politikës kosovare ndaj Serbisë pushtuese. Kishte ardhur momenti që djelmëria shqiptare të rrokte armët e luftës.

Dy vite pas vdekjes së Adem Demaçit, ende nuk dihet shumë për  disa aspekte të rolit të Adem Demaçit në atë që quhet veprimtari ilegale në dhjetëvjeçarin dramatik 1990-2000. Një gjë është e sigurt, këtë e ka thënë edhe me gojën e tij pas grevës së vitit 1994 në „Rilindje“, se jo çdo gjë në luftën për pavarësi kundrejt Serbisë duhej bërë për dritë të diellit. Angazhimi politik legal pa përmasën tjetër të tij, veprimin në ilegalitet, mbetet një angazhim shterp, pa rezultate në rrethana pushtimi.

Kërkuesit e ardhshëm të Janusit politik Adem Demaçi do të zbulojnë dimensione të reja të këtij martiri që gjithë energjitë e jetës së tij i vuri në shërbim të kombit e atdheut të tij.

Imer Lladrovci

Stuttgart, 24.02.202

Autori është shef i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stuttgart.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada amerikane në Prishtinë u ka dhënë informata shtetasve të…