Ademi: 2018-ta për futbollin, e dhimbshme dhe krenare  

02 janar 2019 | 12:00

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në këtë intervistë për “Epokën e re” vitin 2018 për futbollin e Kosovës e ka vlerësuar të dhimbshëm dhe krenar. Të dhimbshëm për faktin se ndërroi jetë legjenda e futbollit dhe kryetari historik i FFK-së, Fadil Vokrri, kurse krenar për sukseset e Përfaqësueses A në Ligën e Kombeve, por edhe për sukseset e grupmoshave.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në këtë intervistë për numrin festiv të gazetës “Epoka e re”, ka bërë të ditur se punimet për ndërtimin e stadiumit kombëtar në Drenas do të fillojnë në muajin mars. “Deri në muajin shkurt do të kryhen të gjitha procedurat e fizibilitetit dhe shpallja e tenderit dhe zgjedhja e fituesit se kush do ta punoj atë. Besoj në fjalët e ministrit të sportit, se në mars do të fillojë së ndërtuari stadiumi kombëtar në Drenas, i cili do të jetë një nga stadiumet më të mira në regjion”, ka deklaruar Ademi.

“Epoka e re”: Në ditët e fundit të vitit 2018 Kosova mori lajm fantastik nga FIFA. Përfaqësuesja ka shënuar ngritjen më të madhe, duke fituar 46 pozita. Si e komentoni këtë sukses?
Ademi: Normalisht se më gëzon shumë lajmi për ngritjen në renditjen e FIFA-s, por më shumë gëzohem se jemi pa humbje më shumë se një vit. Kjo ngritje ka ardhur në bazë të rezultateve që kemi pasur dhe synim ynë është që ta mbajmë trendin e fitoreve edhe në ndeshjet e ardhshme. Besoj se në vazhdimësi do të kemi rezultate dhe ngritje në renditjen e FIFA-s.

“Epoka e re”: Viti 2018 ishte historik për futbollin e Kosovës për suksese, por edhe i kobshëm sepse e humbi legjendën dhe kryetarin e Federatës, Fadil Vokrri. Si e përjetuat lajmin për vdekjen e Vokrrit?
Ademi: Lajmi për vdekjen e legjendës Fadil Vokrri ishte lajmi më i keq i mundshëm që kemi marrë. Ishte shokues dhe i parapritur për faktin se Vokrri ishte në moshë të re dhe nuk vuante nga ndonjë sëmundje. Përveç dhimbjes së madhe që kishim, vdekja e tij na ka gjetur të papërgatitur si Federatë dhe në përgjithësi si Kosovë. Vokrri ka qenë njeri i madh dhe i jashtëzakonshëm, lider vizionar dhe shok shumë i mirë. Të tillë e trajnoi edhe shteti me rastin e lamtumirës së fundit.

“Epoka e re”: Ju lutem na shpjegoni pak sloganin e FFK-së, ‘Dhimbje dhe krenari’!
Ademi: Po dhimbje është se e kemi humbur legjendën tonë të futbollit mbarëkombëtar, kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili dha aq shumë për futbollin dhe nën udhëheqjen e tij Kosova u pranua në organet e UEFA-s dhe FIFA-s, por krijuam edhe një miqësi dhe bashkëpunim me shumë federata dhe institucione sportive ndërkombëtare. Pjesa tjetër e sloganit, që është krenaria, do të thotë se ekipi ynë kombëtar mori rezultate të mirë, por edhe U17, U19 dhe U21-shat ishin të suksesshëm. Në përgjithësi kemi një ngritje të cilësisë në futboll.

“Epoka e re”: Ju keni bashkëpunuar për një kohë të gjatë me ish-kryetarin Vokrri. Sa e kishit të vështirë ta pranoni kandidim për pasardhës të tij në FFK?
Ademi: Ishte e vështirë, pasi që nga ardhja e Fadil Vokrrit në krye të Federatës unë kam qenë bashkëpunëtori i tij më i afërt ose nënkryetari i parë. Gjithmonë jemi marrë me projekte dhe rrugë të përbashkëta. Kur e ke një njeri që të prezanton si Fadil Vokrri e ke shumë më të lehtë të punosh në projekte, pasi nuk e ke presionin e prezantimit. Falënderoj Komitetin Ekzekutiv me të cilët kemi qenë bashkë që tetë vjet apo dy mandate dhe normalisht se ata, opinioni futbolldashës dhe më pas edhe delegatët e kuvendit, e kanë vlerësuar se duhet të vazhdohet rruga që është trasuar në arenën ndërkombëtare, por edhe në sportin e Kosovës. Duke e ditur se kam qenë protagonist në të gjitha projektet në Federatën e Futbollit u vlerësua që të jem unë pasardhës i kryetarit Vokrri, por normalisht se është e vështirë të zëvendësohet Fadil Vokrri. Ne jemi mundur ta ngrehim nivelin e punës dhe secili e ka marrë mesazhin siç duhet, duke u nisur nga klubet, tifozët, mediet që kanë pasur një qasje pozitive për ta ndihmuar futbollin, por edhe delegatët e kuvendit, jemi mundur ta rikëmbim futbollin pas humbjes së madhe që kishim, pra humbjen e kryetarit.

“Epoka e re”: Përfaqësuesja e Kosovës arriti sukses historik duke u kualifikuar në ‘play-off’ të Ligës së Kombeve. Jemi dy ndeshje larg Evropianit, por sa besoni ju se futbollistët ‘Dardanë’ do të luajnë në “Euro 2020”?
Ademi: Nëse i shohim këto dy ndeshje të Ligës së Kombeve ku do të luajmë me Maqedoninë dhe një ekip tjetër, fillimisht duhet të shpresojmë se futbollistët tanë ta kenë shëndetin e plotë dhe mos të lëndohen, pse jo të kemi edhe ndonjë ardhje të re. Nëse e mbajmë formën e tillë futbollistëve dhe mentalitetin e fituesve besoj fuqishëm se rezultatet nuk do të mungojnë, thjesht mendoj se ka ardhur koha që Kosova të jetë në Kampionatin Evropian.

“Epoka e re”: Tashmë dihet edhe shorti për kualifikimet në “Euro 2020”. Përjashto Anglinë, nga cila kombëtare tjetër duhet të ketë frikë Përfaqësuesja e Kosovës?
Ademi: Nuk ka grup të lehtë dhe të jesh në grup me Anglinë nuk është gjithçka e thjeshtë, duke mos e nënçmuar as Republikën e Çekisë që ka një ekip me traditë, po ashtu edhe Bullgaria që, përveç traditës, është riorganizuar, kurse Malin e Zi e kemi parë në shumë ndeshje dhe është në nivel të lartë. Nëse i shohim rezultatet e ekipit tonë prej pranimit në UEFA dhe FIFA, tregon se mund të nxjerrim rezultate në kualifikimet e evropianit. Anglia është favorite e grupit, por nuk fiton gjithmonë më i miri. Ne kemi një ekip homogjen dhe gjithë futbollistët e kanë marrë mesazhin e duhur dhe po luajnë me dëshirën më të madhe, duke e pranuar edhe rolin e rezervistit më shumë sportivitet. Jam shumë i sigurt se Kosova do të jetë ekipi që do të befasojë kudo që merr pjesë.

“Epoka e re”: Mbi një vit pa humbje është përfaqësuesja, por cilat janë meritat e trajnerit Bernard Challandes?
Ademi: Merita e trajnerit është e madhe dhe po shihet, sepse është një trajner me përvojë të madhe dhe e njeh mentalitetin e shqiptarëve, pasi në Zvicër ka shumë shqiptarë dhe Challandesi ishte skaut i federatës zvicerane, ku i ka njohur të gjithë futbollistët me prejardhje shqiptare. Organizmin që kemi pasur ai e ka rifreskuar, duke e krijuar një sistem të ri të punës në ekipin tonë. Përveç rezultateve ai ka merita edhe për sjelljet profesionale të ekipit përfaqësues.

“Epoka e re”: Qytetarët kanë pasur ankesa për mënyrën rreth shitjes së biletave, në përjashtim të lojës së fundit. A besoni se në kualifikime kjo temë nuk do të diskutohet dhe qytetarët nuk do të kenë nevojë t’ia mësyjnë tregut të zi për të siguruar një biletë?
Ademi: Më vjen keq nga të gjithë ata shikues që nuk kanë mundur të sigurojnë një biletë, pasi stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë ka vetëm 12 600 karrige. Duke pasur parasysh edhe të drejtën se i takon mysafirit dhe biletat e evakuimit që nuk guxojnë të shiten dhe në dispozicion janë vetëm 10 mijë bileta, një numër shumë i vogël për t’i plotësuar dëshirat e njerëzve për t’i përcjellë ndeshjet e skuadrës së zemrës. Kemi krijuar sistemin online ku një person me emër dhe kartelë bankare mund t’i blejë vetëm tri bileta. Kjo është bërë për t’i ikur tregut të zi.

“Epoka e re”: A mund merrni ndonjë hap tjetër për t’i shmangur këto probleme, pasi Kosova pret edhe kombëtare të mëdha dhe qytetarët dëshirojnë që yjet botërorë t’i shohin nga afër?
Ademi: Po, e kam bërë një projekt me të cilin do ta diskutoj me ministrin e MKRS-së, Kujtim Gashi dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, që të ndërtojmë edhe një tribunë në pjesën lindore, e cila do t’i shtonte edhe 6 700 vende, por duke pasur parasysh se do të vijë Anglia, prapë do të kemi problemet e njëjta rreth kësaj teme për biletat. Do të mundohemi që edhe ndeshjet të transmetohen drejtpërdrejt në televizion dhe ata që nuk kanë mundësi të shikojnë në stadium ta kenë mundësinë t’i përcjellin ndeshjet e Kosovës në sheshet kryesore.

“Epoka e re”: Një pakënaqësi në opinion është fakti se ka shumë pak lojtarë nga kampionati vendor në Përfaqësuese. A pritet që në të ardhmen të kemi një numër më të madh, pasi kjo do të ishte edhe një shtytje për lojtarët që të punojnë edhe më shumë?
Ademi: Sigurisht se pritet dhe dëshira jonë është të kemi sa më shumë lojtarë në përfaqësuese, për këtë kemi filluar të organizojmë sa më shumë ligën tonë dhe ta profesionalizojmë dhe riorganizojmë në mënyrën sa më të mirë, pasi kjo është rruga e vetme që lojtarët të jenë konkurrentë me lojtarët që luajnë në ligat evropiane. Duke pasur sa më shumë futbollistë nga kampionati vendor në ekipet nacionale e ngrehim edhe nivelin e ligës sonë. Që nga viti 2019 kemi synim të bëjmë një plan në mënyrë që të ketë sa më shumë grumbullime të përbashkëta, takime e programe me futbollistët në secilin kategori që kanë kualitet me trajnerët dhe ekspertë të ndryshëm. Këta futbollistë tani do ta kenë më të lehtë grumbullimin në përfaqësuese dhe, pse jo, të lidhin edhe kontrata me skuadrat evropiane sikurse që kanë bërë nga kampionati i Kosovës edhe Beka, Zhegrova dhe Rashica.

“Epoka e re”: Ndërtimi i stadiumit kombëtar është folur që një kohë të gjatë por, përpos ndarjes së vendit, nuk është bërë asgjë më tepër. Ju si kryetar i Federatës, a mund të na konfirmoni se kur pritet fillimi i ndërtimit të këtij stadiumi?
Ademi: Deri në muajin shkurt do të kryhen të gjitha procedurat e fizibilitetit dhe shpallja e tenderit dhe zgjedhja e fituesit se kush do ta punojë atë. Besoj në fjalët e ministrit të Sportit, se në mars do të fillojë ndërtimi i stadiumit kombëtar në Drenas, i cili do të jetë një nga stadiumet më të mira në regjion.

“Epoka e re”: Cila është porosia juaja për njerëzit që janë të angazhuar në futboll?
Ademi: Të gjitha klubeve të futbollit, futbollistëve, organeve të federatës, administratës dhe Komitetit Ekzekutiv ua uroj festat e fundvitit dhe vit të suksesshëm. Uroj edhe popullin e Kosovës dhe tifozët, “Dardanët”. Urim të veçantë kam për mediet të cilat kanë qenë shumë pozitive për ekipin kombëtar.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Borussia Dortmundi ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me Chelsean…