Ademi: Kujtimi për Fadil Vokrrin mbetet i gjallë përjetësisht!

09 dhjetor 2018 | 15:38

Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës

Kam vështirësi teksa po tentoj t’i shkruaj disa rreshta për mikun tim, për legjendën tonë, për presidentin tonë, tashmë të ndjerë, Fadil Vokrri. Kur po thellohem në kujtime për rrugëtimin tonë të përbashkët për zhvillimin e futbollit të Kosovës. Ike i heshtur në këtë fillim vere, pa arritur të na thuash lamtumirë, mbase nuk i doje lamtumirat ngase shumë e adhuroje të ardhmen. Jo vetëm unë, por të gjithë u rritem me jehun dhe magjinë e lojës tënde, duke u shndërruar në legjendë. Dhe nuk thonë kot se legjendat nuk vdesin kurrë. Nuk e pata fatin të isha bashkëlojtar i yti, por isha me fat që u bëmë bashkë në një rrugëtim të lavdishëm, në rrugën dhe misionin e përbashkët që sakrificave të shumë brezave t’u japim kurorën e duhur – pranimin në arenën ndërkombëtare. Nami që kishte arritur gjithandej, të ndihmoi Ty dhe neve të tjerëve që të kishim prijës , për të hapur dyer e rrugë që na bënë pjesë të familjeve të mëdha të futbollit evropian e botëror, të mirat të cilat po i shijojmë tash. Dhe kjo po na bënë krenarë dhe obligues që me këmbëngulësi të vazhdojmë rrugën dhe vizionin tënd. Unë si pasues i yti dhe të tjerët, jemi të vendosur që ëndrrat tona të përbashkëta që janë edhe amaneti yt t’i bëjmë realitet. Dhembjen dhe boshllëkun që na le me ikjen tënde po mundohemi ta zbusim dhe ta plotësojmë me punë e përkushtim dhe çdo sukses i punës tonë me zell, të dedikohet Ty dhe gjithçka mbanë vulën dhe emrin tënd. Shpresoj se edhe Ti lartë në qiell ta kesh dëgjuar jehonën dhe thirrjet e adhuruesve në stadiumin buzë Arbërisë, që tashmë e bartë emrin tënd e qielli mbi Prishtinë po gjëmon nga thirrja e emrit tënd.
Mik i dashur, legjenda e jonë, Ti tash jeton përjetësisht kudo ku ka shqiptarë dhe jo vetëm, prania e jote hetohet në çdo zemër dhe mendje të çdo futbollisti dhe të gjithë shqiptarëve gjithandej. Do të jemi përjetësisht falënderues për gjithçka që ke dhënë dhe ke bërë për neve dhe kujtimi për Ty do të jetë i përjetshëm.
Në këtë gjashtëmujor të vdekjes tënde të gjithë të kujtojmë me mall të pashuar…

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se raporti…